Ikja e turistëve tkurr konsumin
Aktualitet

Ikja e turistëve tkurr konsumin

Me përfundimin e valës së turizmit, blerjet për produktet e shportës ushqimore në supermarkete nga konsumatorët i janë kthyer tendencës në rënie. Arsyet që po ndikojnë tek ulja e konsumit të mallrave ushqimore janë çmimet e larta dhe emigracioni. Konsumi është pakësuar sërish edhe në bare dhe restorante. Birra vendase është shumë afër zhdukjes, pasi edhe fabrikat po importojnë birrën e huaj, duke rrezikuar shkurtimin e vendeve të punës. Pas ikjes së turistëve, bien blerjet për artikujt e shportës ushqimore në supermarkete. Për produktet e shportës vijon të ketë rënie konsumi, kryesisht për sheqerin, orizin, ndërsa për produktin e vajit të lulediellit, bulmetit dhe drithërave blerjet janë në rritje krahasuar me vjet. Për importuesit e mallrave ushqimore, përveç përfundimit të sezonit turistik, tkurrja e konsumit është ndikuar nga çmimet e larta dhe emigracioni i popullatës.

Përfaqësues të rrjetit të supermarketeve “Big Market” thanë për “Monitor” se në periudhën janar-tetor ka pasur 8,5% rënie të blerjeve për produktet e shportës krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga përfaqësuesit e “Big Market” vlerësohet se te rënia e kërkesës, përveç largimit të turistëve, kanë ndikuar edhe çmimet e larta. Shtrenjtimi i produkteve ushqimore ka sjellë zëvendësimin e tyre me produkte të njëjta, por më të lira.

“Krahasuar me vitin paraardhës, gjatë këtij viti vihet re një rënie e sasisë së konsumit.

Për tremujorin e parë pati rënie prej 7,6%, në tremujorin e dytë 9% dhe në tremujorin e tretë një rritje të lehtë, prej 0,5%. Sipas vlerësimeve në periudhën janar-tetor, kemi një rënie prej 8,5% në blerje në përgjithësi te produktet e shportës.

Periudha e verës pati rritje të lehtë të konsumit, e shkaktuar nga ardhja e turistëve për pushime. Me ikjen e tyre, sigurisht që blerjet kanë filluar sërish të kenë një rënie të lehtë.

Te rënia e konsumit ka ndikuar edhe rritja e çmimeve për produktet e shportës, ku blerësit zgjodhën të reduktojnë produktet e shportës ose të zgjedhin alternativa me çmime më të ulëta për produkte të njëjta, duke zgjedhur çmimin përpara cilësisë”.

Sipas të dhënave të kompanisë importuese dhe paketuese të mallrave ushqimore, “Teuta”, ndër mallrat e shportës ushqimore që kanë shënuar rënie shitjesh në muajt tetor-nëntor është orizi me tkurrje 5% dhe fasulet 1%, krahasuar me tetor-nëntor 2022.

Për produktet si vaji i lulediellit, shitjet në periudhën tetor-nëntor 2023 krahasuar me vjet janë rritur me 56%, për drithërat shitjet janë rritur me 14% dhe sheqeri, 5%.

Nga ana tjetër, në raport me vjet, ka pasur edhe ndryshim të çmimeve. Sipas të dhënave të kompanisë “Teuta”, në periudhën tetor-nëntor 2022, çmimi mesatar i shitjes së vajit të lulediellit ishte 350 lekë për litër.

Për të njëjtën periudhë të këtij viti, çmimi mesatar i shitjes për vajin e lulediellit është 201 lekë për litër, duke shënuar rënie me 34%.

Rënie çmimit është shënuar edhe për produktin e sheqerit. Çmimi mesatar i sheqerit në muajt tetor-nëntor 2023 arriti 100 lekë për kg nga 115 lekë/kg që ishte vjet (rënia 15%).

Te produktet e shportës, rritje të çmimeve në muajt tetor-nëntor ka pasur për orizin, fasulet dhe drithërat. Orizi nga 152 lekë për kg që u shit për muajt tetor-nëntor të vitit të kaluar, sivjet ka arritur në çmimin mesatar prej 156 lekë (rritja rreth 3%).

Vjet, çmimi mesatar i shitjes së fasuleve të paketuara ishte 214 për kg, ndërsa për 2023 çmimi mesatar i shitjes është 247 lekë për kg, me një rritje prej rreth 15,5%. Çmimi mesatar i shitjes për drithërat ka shënuar rritje prej 1,5%.

Pesha e shpenzimeve për ushqime dhe pije joalkoolike te familjet shqiptare vijon të mbetet më e larta krahasuar me vendet europiane. Shpenzimet e shqiptarëve në 2022 për ushqime dhe pije joalkoolike zunë 39,7% të shpenzimeve të buxhetit familjar sipas të dhënave të INSTAT.

Pesha e lartë e shpenzimeve për ushqime në Shqipëri krahasuar me vendet e Europës direkt është një nga treguesit kryesorë për nivelin e të ardhurave të ulëta të familjeve shqiptare, çmimeve të larta dhe varfërisë.

Sipas INSTAT, në vitin 2022, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një Njësi Ekonomike Familjare, e përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, vlerësohen me 88,367 lekë, 4,5% më të larta se në vitin 2021.

Pjesa tjetër e shpenzimeve me peshë 9,8% ishin pagesat e energjisë, ujit dhe qiranë. 6,5% të shpenzimeve e zënë ato për mobilim dhe mirëmbajtje. Pesha e shpenzimeve për transport në 2022 ishte 6,9%, për restorante dhe bare 7,3% dhe për veshje dhe këpucë, 5%.

Mesatarja e shpenzimeve për ushqimet e shportës ushqimore në Europë sipas Eurostat arrin në 13,6%, rreth 3 herë më e ulët se Shqipëria. Vendi me shpenzimet më të ulëta për ushqime, çka tregon mirëqenien e shoqërisë në Europë, është Anglia, me 7,9%.

Në vendet e tjera të zhvilluara si Irlanda, Luksemburgu dhe Holanda, shpenzimet për ushqime zënë nga 9 deri në 11,7% të ardhurave.

Vendet europiane shpenzojnë më shumë për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar, me 24,1% të totalit, përkundrejt 9,8% të familjeve shqiptare. Ndërsa për restorantet në Europë shpenzohet 8,5%.

Edhe në vendet fqinje të Shqipërisë, treguesi i peshës së shpenzimeve për ushqimet është shumë i ulët. Në Greqi, sipas të dhënave të Eurostat është 16,7%, në Malin e Zi 20,7%, në Maqedoninë e Veriut është 30,6% për vitin 2019 dhe Bosnjë-Hercegovinë 32,2%.

Të dhënat për Kosovën mungojnë, por treguesit e mëparshëm ishin më të ulët sesa Shqipëria.

Ulet çmimi i sheqerit, por konsumi vijon rënien e lartë nga emigracioni

Importet e sheqerit vijuan tendencën e rënies. Sipas të dhënave të Doganave, në periudhën janar-tetor 2023 u importuan 38,4 mln kg sheqer. Krahasuar me njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importet ranë 28%.

Importuesit thonë se në vend, konsumi i sheqerit vijon të këtë rënie, pavarësisht se çmimi i shitjes me shumicë është 30% më i lirë se vjet. Arsyet kryesore të rënies së shitjeve, sipas tyre, mbeten emigracioni i të rinjve dhe rënia e kërkesës nga industria agropërpunuese, pasi çmimet e shitjes së sheqerit janë ulur.

Çmimi i shitjes së sheqerit me shumicë, sipas importuesve, aktualisht është 100 lekë për kg nga 130 lekë për kg që u shit vjet. Ndryshimi i çmimit të sheqerit është ndikuar nga rënia e shitjes së tij në bursa dhe ndryshimi i kursit të këmbimit të dollarit, monedha me të cilën blihet sheqeri në bursa.

“Konsumi i sheqerit nga viti i kaluar ka pësuar rënie. Së pari ka rënie nga konsumatorët. Mungojnë banorë në Shqipëri nga emigracioni, kryesisht janë të rinjtë që largohen. Ndërsa turizmi ka pasur ndikim pozitiv, por jo aq të theksuar.

Konsumi i përditshëm i sheqerit vjen nga konsumatori dhe industria”, thekson për “Monitor” një nga drejtuesit e kompanisë importuese të sheqerit.

Sipas importuesve, tendenca e rënies së konsumit të sheqerit nisi që pas pandemisë nga Covid-19, edhe për shkak të këshillave të mjekëve për mospërdorim të shumtë të tij.

Ndikim të fortë te pakësimi i importeve pati edhe nga industria përpunuese. Në fabrikat e përpunimit, në muajin shtator, në pikun e sezonit, prodhimi i reçelrave, marmelatës dhe kompostove shqiptare u përgjysmua, për shkak të mungesës së frutave.

Nevion Telha, agronom në zonën e Korçës, shpjegoi më herët për “Monitor” se prodhimi i pemëtarisë sivjet u reduktua, pasi në periudhën e lulëzimit të gjitha pemët u prekën nga lagështira e lartë.

Rajoni i Korçës është shumë i përshtatshëm për prodhimet bujqësore, sidomos zona e Pojanit kultivon disa variete kumbullash që shërbejnë si lëndë e parë për agroindustrinë.

Z. Telha nënvizoi se nga 8,000 deri në 10,000 ha tokë të mbjella të zonën e Korçës me varietetin e kumbullës “tropojanë”, vetëm 20% e tyre patën prodhimtari.

Burimi: Doganat

Rritet konsumi i vajit të lulediellit nga turizmi dhe rënia e çmimit

Importet e periudhës janar-tetor 2023 për grupin “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale”, sipas të dhënave të INSTAT, ranë me 6% krahasuar me vjet.

Ardhja e turistëve në muajt e verës ndryshoi tërësisht konsumin për vajin e lulediellit. Deri në fillim të muajit qershor 2023, importuesit pohonin se shitjet ishin rreth 40% më të ulëta se vjet, për shkak të largimeve të popullatës në emigracion dhe mbiprodhimit të vajit të ullirit.

Në periudhën janar-tetor, shitjet e vajit të lulediellit janë 10 deri në 15% më të larta se vjet, sipas drejtuesit të një prej kompanive importuese të vajit. Arsyeja kryesore e shtimit të shitjeve, sipas tij, mbetet numri i lartë i turistëve.

“Shitje të vajit të lulediellit ka pasur më tepër te supermarketet dhe hotelet në zonën e Durrësit dhe Vlorës. Për muajin nëntor, me largimin e turistëve ka pasur rënie të shitjeve, por parashikojmë shtim të tyre në dhjetor nga festat e fundvitit. Krahasuar me vjet, shitjet e vajit të lulediellit janë më të larta.

Përveç turistëve ndikim ka pasur edhe rënia e prodhimit të vajit të ullirit”, pohoi një nga grosistët e vajit.

Faktor tjetër që ka ndikuar te rritja e kërkesës është edhe ulja e çmimit të vajit të lulediellit. Importuesit thanë se prej një viti në treg janë stabilizuar çmimet me shumicë për këtë produkt. Aktualisht sipas tyre, vaji i lulediellit po tregtohet me shumicë me çmim nën 200 lekë për litër (150 deri në 180 lekë për litër).

Rënia e çmimit të vajit të lulediellit nisi në muajin qershor 2022, periudhë në të cilën filloi të importohet vaji nga depozitat e Ukrainës drejt vendeve kufitare, pasi transporti detar ishte i bllokuar nga lufta.

Në muajin korrik 2022, çmimi i vajit u ul me 24% krahasuar me çmimin e shitjes pas luftës.

Pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë dhe vështirësive të krijuara në importin e vajit të lulediellit, çmimet në tregun shqiptar u rritën me rreth 33%. Në muajin mars 2022, çmimi i vajit të lulediellit u tregtua 330 lekë për litër nga 249 lekë për litër në muajin shkurt (32,5% rritje).

Pas kësaj periudhe, çmimi u rrit edhe rreth 9% dhe arriti 370 lekë për litër, ndërsa në mesin e muajit prill, çmimi i vajit me pakicë arriti pikun 400 lekë për litër.

Për importuesit, ndikim te shtimi i shitjeve ka pasur edhe rënia e prodhimit të vajit të ullirit. Prodhimi i vajit të ullirit, sipas fermerëve dhe fabrikave përpunuese, sivjet është gati 60% më pak se vjet.

Ndërsa çmimi i vajit të ullirit të shitur nga fermeri ka arritur 800 lekë për litër, 50% më i shtrenjtë se vjet dhe vaji i ambalazhuar po tregtohet 1,200 deri në 1,300 lekë për litër.

Burimi: INSTAT

Ulen çmimet për produktet e bulmetit

Çmimet e produkteve të pakicës për mallrat e bulmetit vjet janë rritur disa herë nga kompanitë. Përpunuesit e qumështit theksojnë se rritja e fortë e çmimeve për produktet e bulmetit kulmoi në muajin gusht të vitit të kaluar, për shkak të shtrenjtimit të qumështit nga kostot e larta ushqyese të kafshëve pas fillimit të konfliktit në Ukrainë dhe shtrenjtimit të lartë të energjisë.

Rritja e çmimeve uli ndjeshëm kërkesën nga konsumatori.

Përfaqësues të fabrikave përpunuese pohojnë se aktualisht, konsumi i është rikthyer tendencës së rritjes.

Luis Ndreka, përfaqësues i kompanisë ADG (ish-Lufra) tha për “Monitor” se pas verës, në periudhën shtator-nëntor, kërkesa për produkte bulmeti është më e lartë krahasuar me vjet, për shkak të uljes së çmimeve të produkteve kryesore dhe ofertat e shumta promocionale.

“Në muajt pas verës, kërkesa është më e lartë, krahasuar me vjet. E theksoj periudhën pas verës për dy arsye. Së pari, sepse pas verës mund të dallojmë realisht konsumin nga konsumatorët vendas, duke marrë në konsideratë që turistët janë larguar.

Së dyti sepse duke pasur parasysh rritjet e njëpasnjëshme të çmimeve të produkteve të bulmetit vitin e kaluar, do të ishte e padrejtë të krahasonim kërkesën për shembull të muajit qershor 2022 me qershor 2023, pasi çmimet në muajin qershor 2022 kanë qenë më të ulëta sesa qershor 2023.

Natyrshëm, kërkesa ka qenë më e lartë në qershor 2022. Për ta përmbledhur, nga muaji shtator deri në nëntor, që praktikisht jemi me çmime të njëjta siç kemi qenë vjet në të njëjtën periudhë, kërkesa është më e lartë.

Por duhet pasur parasysh që vitin e kaluar, ne nuk aplikonim oferta/promocione, ndërsa këtë vit për të nxitur konsumin kemi aplikuar shuma të tilla. Pra mund të themi që çmimi real i produkteve është pak më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë këtij viti, produktet e bulmetit të markës “Lufra”, sipas zotit Ndreka, nuk kanë pasur rritje çmimesh, por ulje në disa prej tyre.

“Çmimi i gjalpit ka pasur rënie me rreth 40% gjatë këtij viti. Edhe çmimi i djathit ka pësuar rënie me rreth 10-20%. Këto janë dy produkte që punohen me stok dhe nëse nivelet e stokut janë të larta, atëherë dhe rënia e çmimit është më e lartë.

Për produktet e tjera, të cilat për ne përbëjnë edhe volumet më të mëdha, rënia e çmimit me anë të promocioneve/ofertave është mesatarisht 2-3%”.

Rritja e çmimeve nga industria përpunuese e qumështit nisi nga marsi i vitit të kaluar dhe vijoi gradualisht deri në gusht të 2022, muaj në të cilin arritën pikun. Për këtë arsye, sipas Ndrekës, solli rënie të kërkesës 10 deri në 15% në 6-mujorin e parë të 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Me largimin e turistëve, efektet në konsum po ndihen edhe te përpunuesit e qumështit. “Patjetër, si çdo vit, me largimin e turistëve, shitjet tona bien ndjeshëm. Sipas analizave tona, pjesa më e madhe e konsumit bie prej largimit të turistëve, por një pjesë edhe prej rënies së konsumit për konsumator.

Kosi dhe dhalli janë produkte që konsumohen më shumë në verë, për shkak të temperaturave të larta”, nënvizon z. Ndreka.

Importet e qumështit vijojnë të shënojnë rritje. Në periudhën janar-tetor, sipas të dhënave të Doganave, importet u rritën me 23% në raport me të njëjtën periudhë të 2022. Në muajt janar-tetor 2023, janë importuar 15,9 milionë litra qumësht, sasia më e lartë e ardhur nga jashtë për vitet 2016-2023.

Rritja e importeve po nxitet nga problematikat me prodhimin vendas. “Fermat shqiptare kanë presion të prodhojnë me kosto më të lirë, pasi konkurrohen direkt nga qumështi i papërpunuar që vjen me autobote nga rajoni dhe Europa, por edhe indirekt nga produkti i përpunuar dhe i paketuar në raft, i cili vë nën presion fermën dhe përpunuesin”, thotë z. Ndreka.

Z. Ndreka shpjegon arsyet pse rritja është shënuar për të dyja kategoritë e qumështit të importuar, atij të paketuar dhe qumështit që vjen si lëndë e parë gati për përpunim.

“Së pari, për shkak se shumë kompani, me rritjen e çmimeve të bulmetit vendas bëhen më të konkurrueshme, duke sjellë produkte më të lira importi të paketuara.

Së dyti vjen sepse kërkesa në verë për shkak të turistëve po rritet çdo vit. Në mënyrë të natyrshme, për të përballuar kërkesën e tregut gjatë sezonit veror, kompanitë shqiptare do të importojnë më shumë qumësht nga shtete të tjera, sepse fermat shqiptare nuk mund ta rrisin prodhimin e tyre me 40, 50 apo 60% vetëm gjatë muajve të verës”.

Burimi: Doganat

Rriten importet e drithërave dhe detergjentëve

Importet e drithërave në periudhën janar-tetor 2023 u rritën me 7% krahasuar me vjet, sipas të dhënave të INSTAT.

Prodhuesit e bukës pohojnë se aktualisht, konsumi është në rënie krahasuar me muajt e verës, për shkak të largimit të turistëve. Rënia e konsumit nisi që nga mesi i muajit shtator, me rreth 20% më pak se në periudhën e verës.

Edhe importet e grupit “Sapuni, preparatet parëse, lubrifikues, qirinjtë” për muajt janar-tetor u rritën 4% krahasuar me vjet. Importuesit e preparateve larëse thanë se kërkesa vijon të jetë e njëjtë krahasuar me vjet.

Kërkesa për shampo, sapunë dhe detergjentë sipas kompanive ishte në nivele normale edhe gjatë stinës së verës.

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT

Rriten importet e karburanteve

Importet e karburanteve për muajt janar-tetor janë rritur 10% krahasuar me vjet, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, tha për “Monitor” se përmirësimi i konsumit është ndikuar nga një sërë faktorësh, si nga rritja e numrit të turistëve, rritja e kuotave për bujqësinë, si dhe nga rënia e konsumit në 2022 për shkak të rritjes së çmimeve e cila artificialisht jep efekt rritje në vitin pasardhës.

Në fillim të muajit mars 2022, çmimet e naftës në vend u shtrenjtuan rreth 35% nga 192 lekë për litër, duke arritur në 260 lekë për litër. Qeveria ndërhyri me ngritjen dhe funksionimin e Bordit të Transparencës deri më 7 qershor 2023 për stabilizimin e çmimeve.

Edhe pas shfuqizimit të Bordit të Transparencës, çmimet e naftës në vend nuk arritën të kthehen në nivelin para fillimit të konfliktit në Ukrainë. Nga Shoqata e Hidrokarbureve është përsëritur shqetësimi se te shtrenjtimi i çmimit ndikojnë kryesisht taksat e larta për karburantin, duke zënë gati 70% të çmimit.

Në Shqipëri, nafta është e ngarkuar me 5 taksa shtetërore, si: akciza, taksa e qarkullimit, taksë karboni, TVSH dhe taksë rilicencimi dhe 3 taksa që paguhen nëpërmjet koncesioneve, si taksa për markimin, skanimin dhe pompat.

Nga tre taksat koncesionare, nafta ngarkohet në çmim me 4,6 lekë për litër, sipas Shoqatës së Hidrokarbureve.

Burimi: Ministria e Financave

MONITOR

Shqipëria po varfërohet nga njerëzit, 30% e bashkive rrezikojnë të shuhen totalisht


Gati një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike e vendit, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 82% të bashkive në vitin 2021. Vitin e kaluar, numri i lindjeve për 100 gra në moshë riprodhimi arriti në 121 fëmijë nga 132 më 2021. Rënia e fertilitetit në Shqipëri nga 1990 – 2021 ishte tre herë më e lartë se në 52 vende të Europës dhe Azisë Qendrore. “Bonusi i Bebeve”, një politikë që ndërmori qeveria për nxitjen e lindjeve dështoi, pasi që nga viti 2019, kur nisi aplikimi i saj, deri më 2022, numri i bebeve u pakësua me 13.5%. Ekspertët bëjnë thirrje për paketë masash që të ulë kostot për rritjen e fëmijëve dhe të mbështesë familjet e reja

Rënia e popullsisë në moshat e reja është aq e fortë sa ka marrë përmasat e një orteku që tashmë nuk mund ta ndalë asgjë. Boshatisja e vendit nga të rinjtë për rreth tre dekada me radhë, po jep efektet kaskadë në rënien e numrit të lindjeve dhe normave të fertilitetit.

Vitin e kaluar, numri i lindjeve për 100 gra në moshë riprodhimi arriti në 121 fëmijë nga 132 fëmijë që lindën më 2021, rënia më e fortë që nga viti 2015 kur vendi u përfshi nga një valë e lartë e azilkërkuesve në vendet e BE-së. Në vitin 1990, në 100 gra kishin lindur 300 fëmijë.

Gati një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 82% të bashkive në vitin 2021.

Të dhëna krahasuese nga Kombet e Bashkuara tregojnë se rënia e fertilitetit në Shqipëri nga 1990 – 2021 ishte tre herë më e lartë se në 52 vende të Europës dhe Azisë Qendrore. Por teksa shtetet e tjera i paraprinë situatës, duke ofruar paketa sociale për të ngadalësuar rënien, Shqipëria ende nuk e ka qartë të problemin.

Mungesa e të dhënave të sakta rreth popullsisë banuese në vend, sidomos në rajone, po i vështirëson të gjitha ndërhyrjet. Lëvizjet e shumta të popullsisë brenda dhe jashtë vendit dhe nga ana tjetër, shtyrja e Censit nga viti 2020 për këtë vit i bëri nul të gjithë treguesit e tjerë që lidhen me popullsinë dhe ekonominë, në një kohë që vendi ka parë valë të forta emigracioni që nga Censi i fundit 2011.

Demografët besojnë se norma e fertilitetit në Shqipëri e krahasuar me popullsinë banuese është më e lartë, por mungesa e të dhënave të sakta mbi popullsinë e bën të vështirë formulimin e mjeteve për ndërhyrje.

“Bonusi i Bebeve”, një politikë që ndërmori qeveria për nxitjen e lindjeve dështoi, pasi që nga viti 2019, kur nisi aplikimi i saj e deri më 2022, numri i bebeve u pakësua me 13.5%.

Përvojat e vendeve të Europës, që kanë pësuar rënien e lindjeve para Shqipërisë, kanë treguar se masat financiare që jepen vetëm një herë dhe kryesisht kur lind fëmija, nuk janë efikase. Duhen paketa sociale në ndihmë të familjeve dhe mbështetje e përhershme për disa kategori.

Shembull në këtë rast është Franca, e cila nëpërmjet Ministrisë së Familjes ka ofruar një paketë sociale shumë të favorshme që nxit normat e lindjes, duke e renditur këtë shtet me normën më të lartë të fertilitetit në Europë.

Ermira Galanxhi, një nga ekspertet më të njohura në vend për çështjet demografike, thotë se, mjeti më i mirë për të zbutur pasojat e tranzicionit demografik është zhvillimi ekonomik, i cili duhet të vijë nëpërmjet një reforme të thellë në arsim dhe modelin ekonomik të zhvillimit të vendit.

Shqipëria duhet të synojë integrimin e shpejtë në BE dhe në politikat e brendshme duhet të fokusohet për të krijuar mundësi për grupet e reja në moshë.

Aftësimi i të rinjve, tha ajo, duhet të nisë që në fazat e hershme të arsimit dhe nga ana tjetër, duhet që ekonomia të orientohet drejt degëve ku vendi është më konkurrues.

Sipas znj. Galanxhi, rritja e sektorit të turizmit është një moment i mirë për Shqipërinë dhe për të orientuar arsimin profesional drejt këtij sektori, në mënyrë që të frenohet ikja e të rinjve , për rrjedhojë, përmirësohen edhe treguesit e popullsisë.

Ekspertja thotë se, zhvillimi ekonomik duhet të jetë i shpërndarë drejt rajoneve, pasi lëvizjet e popullsisë nga periferia drejt qendrës janë bërë në raport të zhdrejtë me burimet ekonomike. Një zhvillimin i balancuar rajonal dhe një paketë politikash pro familjes, në një afat më të gjatë do të përmirësonte treguesit e fertilitetit.

Majlinda Nesturi, eksperte e demografisë, konsulente për çështjet gjinore në zyrën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, shprehet se kostot e larta të lidhura me rritjen e fëmijëve, si arsimi, kujdesi shëndetësor, strehimi dhe kujdesi për fëmijët, mund të dekurajojnë çiftet që të kenë më shumë fëmijë.

Ajo këshillon politika nxitëse për familjen, stimuj financiarë për familjet e mëdha dhe mbështetje për balancën punë-jetë.

Një sugjerim të ngjashëm jep edhe sociologia Entela Binjaku, e cila thotë se, duhet të koordinohet një paketë masash që të ndihmojë të rinjtë që në fazën e studimeve dhe më pas, në krijimin e familjes së re.

30% e bashkive rrezikojnë të shuhen totalisht

Gati një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 77% të bashkive në vitin 2021.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se disa bashki, kryesisht në Jug, rrezikojnë të shpopullohen, teksa mbyllja e shkollave është e sigurt. Në vitin 2021, në Bashkinë e Pustecit nuk lindi asnjë foshnjë. Në atë të Dropullit kanë lindur vetëm 4 bebe, ose 50% më pak se në vitin 2011.

Në të njëjtin vit, në Bashkinë e Libohovës kanë lindur vetëm 21 foshnja, me rënie 57% nga viti 2011. Rënia më e fortë ishte në Bashkinë e Finiqit, ku për vitin 2021 kanë lindur vetëm 23 bebe, ose 74% më pak se në vitin 2011.

Që nga Censi i vitit 2011, gjatë një dekade, në vendin tonë, numri i lindjeve në rang kombëtar ra me 20%, por në 35 bashki nga 62 gjithsej, rënia e lindjeve ishte nga 30-70%. Rënia më e madhe e lindjeve rezultoi në Bashkinë e Pustesit, e cila nuk pati asnjë lindje më 2021 nga rreth 23 të tilla në vitin 2011.

Bashkia e Tropojës u rendit e dyta për rënien e lindjeve gjatë dekadës, me 62%. Në qytetin verilindor lindën vetëm 115 foshnja, nga 303 në vitin 2011.

Pothuajse në të gjitha bashkitë, ritmet e lindshmërisë ranë me ritme dyshifrore, përveç Tiranës, e cila në vitin 2021 kishte 6.7% lindje më shumë se më 2011. Bashkitë e vendit po vuajnë emigracionin e dyfishtë që i ka zbrazur nga moshat riprodhuese.

Kjo është shumë e dukshme në bashkitë e vogla, ku të rinjtë ikin në emigracion, për studime, apo punë në Tiranë dhe nuk kthehen më.

Për shkak të normës së ulët të fertilitetit, në shumicën e bashkive në vend, shtesa natyrore e popullsisë është negative, ku vdekjet janë shumë më të larta se lindjet.

82% e bashkive, me shtesë natyrore negative

Pothuajse 82% e bashkive të vendit kishin shtesë natyrore negative në vitin 2021, pasi vdekjet ishin shumë më të larta se lindjet.

Të dhënat vitale të njësive vendore janë të disponueshme për vitin 2021, i cili ishte një vit jo i zakontë për nga mortaliteti që shkaktoi pandemia, ku vdekjet ishin gati 30% më të larta se mesatarja e viteve 2016-2019.

Vetëm 11 bashki ishin me shtesë natyrore pozitive, ku lindjet ishin më të larta se vdekjet dhe kryesisht janë të përqendruara në Veriun e vendit. Me kthimin në normalitet të mortalitetit në vitin 2023, tani kur pandemia ka kaluar, të dhënat mbi shtesën natyrore mbeten shqetësuese.

Në tremujorin e dytë 2023, pesë qarqe të vendit regjistruan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në shtatë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.

Në tremujorin e dytë 2023, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 699 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 184 vdekje më shumë se sa lindje.

Rënia e popullsisë së grave trondit themelet e lindshmërisë

Përveç rënies së mprehtë të lindjeve në vitin 2022 u përkeqësuan edhe disa tregues në popullatën e femrave që janë baza e riprodhimit. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, lindën rreth 24.688 bebe, ose 9.3% më pak se në vitin 2021. Kjo ishte rënia vjetore më e fortë e lindshmërisë që nga viti 2000. Por teksa lindën më pak bebe, rënia për foshnjat femra ishte edhe më e fortë.

Raporti gjinor në lindje është 107, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 107 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105. Kjo ka përkeqësuar riprodhimin në perspektivë.

Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm, p.sh. sa femra lindin nga 100 gra në moshë riprodhimi. KRB mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten gjatë viteve të jetës riprodhuese. Në vitin 2022, KBR-ja është 0,59 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 41% larg zëvendësimit të vetvetes dhe ky tregues është përkeqësuar më tej.

Sipas të dhënave të detajuara, lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20-24 vjeç dhe 25-29 vjeç, ndërsa për grupmoshat më të vjetra 35-39 vjeç ka shënuar rritje të lehtë. Në vitin 2022, mosha mesatare në lindje ishte 29,5 vjeç.

Koeficientët specifikë të lindshmërisë sipas gjinisë për 2022, tregojnë se burrat e fillojnë aktivitetin e të pasurit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht një 5-vjeçar më vonë, ndërkohë që normat e lindshmërisë pas të 30-ave i kanë më të larta se gratë.

Si na varfëron mungesa e të rinjve

Në vendet e zhvilluara, që kanë përjetuar para nesh rënie të popullsisë, kombinimi i emigrimit dhe rënies së lindjeve, që shkaktojnë rënie të popullsisë dhe ndryshim të strukturës së saj, mund të ketë efekte të dëmshme në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Në një popullsi në plakje, kompanitë investojnë më pak për të ardhmen, pasi punëtorët mbi të 50-tat priren të grumbullojnë kursime për të financuar pensionin e tyre.

Normat e interesit bien dhe rritja ekonomike frenohet. Shumë ekonomistë kanë vënë në dukje plakjen e shoqërive perëndimore, si një shpjegim kryesor për rritjen e ulët të produktivitetit dhe rënien e normave afatgjata të interesit.

Rasti më ilustrues është Japonia, ku cikli i saj i rritjes u frenua kur popullsia e saj në moshë pune filloi të tkurret. Një forcë pune më e plakur nuk është e aftë të jetë novatore në teknologji dhe novacion, por përkundrazi, kërkon një barrë të lartë shpenzimesh për shëndetin dhe pensionet.

Mungesa e të rinjve pengon orientimin e ekonomisë drejt sektorëve më produktivë dhe mungesa e produktivitetit mundëson më pak të ardhura për moshën e vjetër.

Efektet nisën në konsum

Gjendja në Shqipëri po përkeqësohet nga ikja e të rinjve. Që nga viti i kaluar e deri në maj të vitit 2023 u pa rënie e fortë e importeve të sheqerit dhe drithërave me nga 30-50% me baza vjetore.

Grosistët u shprehën të shqetësuar dhe pohuan se rënia u krijua nga një largim i madh i popullsisë në moshë së re. INSTAT raportoi se vitin e kaluar, emigracioni neto, diferenca ndërmjet personave që kanë emigruar dhe atyre që janë rikthyer, arriti në 32,400 persona.

E njëjta shifër rezultoi edhe në vitin 2021, ku shumica mbi 80% janë të rinj në moshë. Ikja e 60 mijë të rinjve në dy vite, gati me madhësinë e Qarkut të Kukësit, dha efekte zinxhir në të gjithë sektorët, që nga importi, prodhimi, tregtia.

Sipas të dhënave të migracionit neto nga viti 2011 deri në 2022 janë larguar nga vendi 246 mijë persona, por një metodë tjetër e INSTAT, që krahason dy të dhëna, popullsinë banuese dhe atë të regjistrit civil, nxori se numri i emigrantëve që jetojnë jashtë vendit u rrit me 600 mijë ndërmjet vitit 2011 dhe 2020.

Adi Haxhiymeri, nga Shoqata e Përpunuesve të Miellit, një nga importuesit më të mëdhenj të miellit në vend, thotë se, konsumi i brumërave po bie nga viti në vit nga pakësimi i popullsisë në moshë së re.

Të rinjtë janë konsumatorë të mëdhenj të brumërave, sheqerit, pijeve alkoolike dhe ëmbëlsirave, ndaj ikja e fortë e tyre në dy vitet e fundit u ndie në konsum, i cili nisi të përmirësohet vetëm me ardhjen e turistëve në vend.

Të njëjtin shqetësim kanë pohuar edhe grosistët e sheqerit, të cilët raportuan se shitjet në zonat rurale kanë pësuar rënie të ndjeshme nga tkurrja e popullsisë. Paralelisht me rënien në konsum, kompanitë në të gjithë sektorët shpallën emergjencën për punonjës. Turizmi, ndërtimi dhe kompani në sektorin e prodhimit kanë nisur të furnizohen me punonjës të huaj.

Mungesa e kapitalit njerëzor tani është kthyer në shqetësim për rritjen ekonomike të vendit, teksa në afate më të gjata, sistemi i pensioneve, kujdesi social dhe cilësia e demokracisë, në mungesë të një popullsie në moshë të re, do të përkeqësohen.

Kriza e burimeve njerëzore fillimisht u shfaq në fabrikat e fasonit, por tani është përhapur me shpejtësi në të gjithë sektorët.

Operatorët kryesorë të linjave urbane në kryeqytet thanë se aktualisht, numri i pasagjerëve që përdorin transportin urban në kryeqytet ra me 53% ndërmjet 2016 – 6-mujori i parë 2021 kur janë publikuar të dhënat e fundit.

Popullsia është zvogëluar, saqë edhe kompanitë e sigurimit, thonë se, aktiviteti i tyre po ndikohet jashtëzakonisht keq nga emigrimi.

Forcim Kola, Drejtor i Përgjithshëm i INSIG, thotë se, kompania po përballet me sfida të mëdha, që lidhen me kufizimet e stafit, vështirësitë për të kontaktuar klientët, ritmet e ulëta të tregut të sigurimeve, si pasojë e frenimit të veprimtarive individuale dhe të bizneseve.

Sektori i arsimit, në përgjysmim

Në vitin shkollor 2010-2011 ishin të regjistruar në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë 782 mijë nxënës dhe studentë, ndërsa në vitin akademik 2022-2023, ky numër u reduktua në 545,222 ose gati 30% më pak sipas të dhënave të INSTAT.

Reduktimi i numrit të nxënësve në dekadën në vijim ka rrezik të përgjysmohet, pasi numri i lindjeve në vitin 2022 ishte vetëm 24 mijë bebe, ose 30% më pak se më 2011.

Deri në vitin 2032, pritet që sektori i arsimit të reduktohet me rreth 40%. Për demografët dhe ekspertët e arsimit, kjo është koha për të rritur cilësinë e mësimdhënies në të gjitha nivelet.

Ekspertja e çështjeve demografike, Ermira Galanxhi, thotë se, arsimi cilësor përmirëson të gjithë treguesit e tjerë që nga ekonomia edhe demografia.

Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se ulja e numrit të nxënësve nuk duhet të sjellë reduktim të fondeve në sektorin e arsimit, por rritje të cilësisë, nëpërmjet investimeve në trupën pedagogjike, atë akademike, në infrastrukturën arsimore, programe dhe në kërkimin shkencor.

Një ofertë e mirë arsimore mund të frenojë emigracionin e të rinjve dhe të tërheqë studentët e huaj. Aktualisht, për sektorin e arsimit, investimet janë më pak se 3% e PBB, teksa kriteret e UNESCO kërkojnë financime jo më pak se 5%.

Rënia e raportit mësues për nxënës duhet të rrisë cilësinë, thotë zoti Tafaj, sipas të cilit duhet që mësuesit të përgatiten dhe të shkollohen për mësimdhënie më shumë se sa në një lëndë. Shembujt e vendeve të tjera, sidomos ato në Europën e Veriut kanë treguar se investimet afatgjata në arsim janë baza më e mirë për të përmirësuar mirëqenien.

Rënia e shpejtë e numrit të lindjeve dhe ikja e të rinjve që mund të lindin në 5 vitet e ardhshme po krijojnë një hendek të lartë në shkolla. Në vitin shkollor 2023-2024, më pak se 29 mijë fëmijë u regjistruan në klasat e para, në një kohë që 6 vite më parë kishin lindur 30 mijë e 800 foshnja.

Emigracioni me familje ka tkurrur ndjeshëm numrin e nxënësve në klasa në 5 vitet e fundit. Fenomeni ka qenë i dukshëm edhe në Tiranë, për të cilin anketat kanë treguar se kishte numrin më të lartë të emigrantëve të organizuar me familje gjatë 2011-2019, sipas një ankete të posaçme për emigracionin që u krye nga INSTAT.

Rritet varfëria ndër pensionistë

Sipas përcaktimeve të INSTAT, që bazohen në metodologji ndërkombëtare, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi. Ky hendek është thelluar vitet e fundit dhe është përshpejtuar më shumë këtë vit.

Në 6-mujorin e parë të vitit 2023, pensioni mesatar ishte vetëm sa 25.5% e pagës mesatare mujore bruto, nga 31% që ishte ky raport më 2018.

Në vitin 2022, pensioni mesatar në qytet ishte sa 44.4% e pagës mesatare neto dhe 35% e pagës bruto. Këto raporte ishin përkatësisht 52% dhe 41% në vitin 2018.

Të dhënat tregojnë për një rritje të pabarazisë ndërmjet shtresave të shoqërisë, në këtë rast të pensionistëve dhe personave të punësuar.

Me gjasa, hendeku do të zgjerohet në vitet në vijim, pasi tregu po sinjalizon rritje më të larta të pagave prej kushteve të reja që ka krijuar mungesa e fuqisë punëtore.

Pas një dekade anemike, pagat kanë nisur të lëvizin, ndonëse jo me ritme të larta.

Në fund të qershorit 2023, paga mesatare në shkallë vendi ishte 30% më e lartë se para pandemisë, duke u rritur nga 52,380 lekë në 67,805 lekë. Në të njëjtën periudhë, pensioni mesatar nga niveli 16,256 lekë në vitin 2019 arriti në 17,306 lekë në 6-mujorin e parë të këtij viti, me zgjerim vetëm 6%

Diferenca ndërmjet pensionit dhe pagës mesatare është edhe më e thellë për fshatin. Në vitin 2022, pensioni mesatar në fshat ishte 10,349 lekë sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kjo shumë ishte vetëm sa 16.7% e pagës bruto në të njëjtën periudhë.

Diferenca ndërmjet pagës mesatare dhe pensionit mesatar pritet të thellohet edhe më shumë këtë vit, pasi qeveria po rrit pagat për administratën publike, me qëllim dyfishimin e tyre në dy vitet në vijim, teksa për pensionet parashikohet vetëm indeksim.

Gjatë këtij viti, pensionet u indeksuan me 8.6%. Nga ana tjetër, numri i pensionistëve, që nuk përmbushin vitet e punës dhe nuk arrijnë të përfitojnë një pension të plotë pleqërie, po rritet me shpejtësi.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se, në 6-mujorin e parë të vitit 2023, pensionistët me pagesë të pjesshme përbënë 50% të totalit të personave që përfitojnë pension pleqërie nga 45% më 2021.

Praktikat europiane, si mund të përmirësohet fertiliteti

Popullsia në shumë vende në Europën Lindore dhe Jugore tani është në rënie, për shkak të kombinimit të emigrimit dhe shkallës më të lartë të vdekjeve sesa lindshmërisë.

Për vendet e BE-së, që po e vuajnë këtë problem më herët se rajoni ynë, emigracioni është konsideruar si mënyra më e lehtë dhe më e dukshme për rritjen e popullsisë së saj.

Megjithatë, pak politikanë, veçanërisht në vendet ish-komuniste, do të pranonin këtë instrument në përmirësimin e treguesve demografikë.

Por, përveç emigracionit, disa qeveri konservatore në Europë kanë marrë masa për përmirësimin e lindjeve. Hungaria është e fundit që ka miratuar masa radikale në përpjekje për të trajtuar problemin.

Kryeministri Viktor Orban i ka shpallur klinikat e fertilitetit si një sektor strategjik. Familjeve të reja tashmë u ofrohet një kredi që nuk kanë nevojë ta kthejnë, nëse kanë një fëmijë të tretë. Gratë që kanë katër fëmijë do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat për gjithë jetën.

Qeveria konservatore e Polonisë prezantoi pagesa për të inkurajuar familjet më të mëdha. Programi i tij “Family 500+” shpërndan 500 zloty (118 €) në muaj për familjet me të ardhura të ulëta për fëmijën e tyre të parë dhe për çdo familje për fëmijët pasardhës.

Në fakt, masat më të suksesshme synojnë t’ua bëjnë jetën më të lehtë nënave që punojnë: zakonisht kur detyrohen të zgjedhin midis rritjes së fëmijëve ose karrierës, gratë kanë zgjedhur të punojnë.

Normat më të larta të lindshmërisë në Europë janë në Francën laike, falë shpenzimeve të saj bujare ndaj mirëqenies dhe kujdesit të lirë të fëmijëve.

Qeveritë e njëpasnjëshme kanë ofruar çerdhe në vend të klinikave të fertilitetit.

Suedia vjen e dyta, falë edhe politikave pro familjes, si dhe nxitjes për burrat që të kujdesen më shumë për fëmijët. Politika kanë treguar se është e mundur të ndryshohet tendenca e normave të ulëta të lindshmërisë.

Gjermania, ku masat për promovimin e lindshmërisë dikur ishin tabu, ka arritur të rrisë normën e lindjeve gjatë dekadës së fundit.

Pjesërisht kjo pasqyron fluksin e fundit të refugjatëve, sidomos sirianët priren për të pasur familje të mëdha. Gjermania bëri përpjekje për të lehtësuar jetën për gratë që punojnë.

Gjatë mandatit të saj si ministre e Familjes së Gjermanisë, Ursula Von Der Leyen prezantoi politika të suksesshme për kujdesin ndaj fëmijëve dhe lejen prindërore.

Reformat ndihmuan në rritjen e shkallës së lindshmërisë nga 1.33 fëmijë për grua në 2007 në 1.57 në 2017, sipas të dhënave të Eurostat.

Ndërkohë, normat globale të lindjeve vazhdojnë të bien më shpejt se sa pritej. Mesatarisht, njerëzit në mbarë botën duan rreth dy fëmijë.

Në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta, ku bën pjesë edhe Shqipëria situata është kontroverse. Në këto familje lindin më pak fëmijë, sesa do të dëshironin. Kjo ndodh në vendet ku shumica e familjeve gëzojnë një standard relativisht të lartë jetese.

Deri më tani, disa qeveri në Europë kanë shpallur në një “emergjencë kombëtare” nivelet e ulëta të lindjeve, ndërsa të tjera kanë mbyllur sytë. Sido që të jetë, politikëbërësit janë në një situatë të ndërlikuar: politikat e fertilitetit që funksiononin në shekullin XX mund të mos jenë më efektive.

Fatmirësisht ekziston tashmë një grup studimesh demografike dhe politikash familjare që tregojnë se cilat taktika ia vlen të ndiqen dhe cilat jo.

Studimet e fundit tregojnë se aspiratat për të pasur fëmijë nxiten nga besimi social dhe qëndrueshmëria individuale dhe dobësohen nga polarizimi politik dhe vuajtjet e tjera moderne, duke përfshirë edhe ndikimin e mediave sociale./MONITOR

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X