Investimet e huaja direkte shënuan një rekord të ri për tremujorin e parë të vitit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e tyre arriti në 308 milionë euro, në rritje me 1.65% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo është vlera më e lartë e investimeve të huaja direkte e regjistruar ndonjëherë në këtë periudhë të vitit.
Fluksi i investimeve të huaja edhe për tremujorin e parë të vitit u dominua nga fitimet e riinvestuara, që arritën vlerën e 183 milionë eurove, në rritje me 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ato kanë kompensuar një pjesë të rënies së flukseve të reja investuese nga jashtë dhe pesha e tyre e lartë është karakteristike në degë ku kërkohen investime të konsiderueshme periodike, si në industrinë nxjerrëse, por edhe në disa sektorë të shërbimeve.
Megjithatë, edhe investimet në formën e flukseve të reja të kapitalit shënuan një rritje edhe më të lartë në tremujorin e parë të këtij viti. Ato arritën vlerën e 143 milionë eurove, në rritje me 28.8% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Pas pandemisë, investimet e huaja direkte kanë shënuar një ringritje të shpejtë. Vitin e kaluar, ato arritën vlerën e 1.37 miliardë eurove, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë.
Pikërisht fitimet e riinvestuara kanë qenë faktori më përcaktues në shifrat rekord të investimeve të huaja gjatë vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, për të gjithë vitin 2022 fitimi i riinvestuar përbënte më shumë se 53% të totalit të investimeve të huaja direkte.
Të dhënat e detajuara sipas sektorëve nuk janë ende të disponueshme, por, sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë 2023, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në sektorin e hidrokarbureve, në masën 21%. Investimet në këtë sektor janë kryesisht të lidhura me industrinë e nxjerrjes së naftës bruto.
Rritja e çmimeve të naftës bruto vitin e kaluar krijoi stimuj për rritje të mëtejshme të investimeve në këtë sektor.
Të tjerë sektorë me peshë të lartë të investimeve të huaja direkte ishin ai i ndërmjetësimit financiar, në masën 14%, i pasurive të paluajtshme, në masën 14%, si dhe ai i energjetikës, në masën 12%.
Sektori financiar dhe sidomos ai bankar ngelet në vazhdimësi një faktor me peshë në investimet e huaja direkte, sidomos falë nevojave periodike që kanë bankat për të shtuar kapitalin e tyre aksioner.
Ndërkohë, tregu i pronave në periudhën pas pandemisë ka tërhequr volume në rritje të investimeve edhe nga shtetasit e huaj.
Investimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhanë kontributin kryesor në shifrën rekord të investimeve të huaja direkte edhe për vitin 2022.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin e kaluar investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 291 milionë eurove, ose më shumë se 21% të vlerës së përgjithshme të investimeve të huaja direkte./Monitor
Të huajt vijnë, shqiptarët ikin, turizmi shënon të ardhura e shpenzime rekord në TI 2023, na mbeten 189 mln euro
Shqipëria po përjeton këtë vit sezonin më të mirë turistik në historinë e saj. Nga jugu në veri, të huajt po shijojnë bukuritë e natyrës shqiptare.
Shtimi i numrit të të huajve që po vizitojnë vendin po përkthehet dhe në më shumë të ardhura për ekonominë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave, në tre muajt e parë të vitit, të ardhurat nga udhëtimet arritën në një nivel prej 624 milionë euro, që është rekordi më i lartë historik dhe pothuajse dy herë më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2019, përpara pandemisë dhe 52% më shumë se tremujori i parë i 2022-t.
Sipas të dhënave të tjera të INSTAT në tre muajt e parë të 2023 numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.070.564. Ky numër është rritur me 59,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Sipas të dhënave të Bankës për shumën e shpenzuar nga ata që udhëtojnë në Shqipëri dhe të INSTAT për numrin e shtetasve të huaj, rezulton që shpenzimi mesatar për një person ka qenë rreth 580 euro për kohën e qëndrimit në Shqipëri.
Ikin dhe shqiptarët
Ndërsa gjithnjë e më shumë të huaj po e preferojnë vendin tonë, edhe shtetasit shqiptarë po “pushtojnë” Europën, duke lënë gjithnjë e më shumë para jashtë vendit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit në janar-mars 2023 ishin 435 milionë euro, sërish një nivel rekord, me një rritje prej 35% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë tremujorit të parë 2023, është 1.394.250, duke u rritur 32,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat e kombinuara të Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT tregojnë se shtetasit shqiptarë shpenzojnë më pak kur dalin jashtë vendit, mesatarisht 311 euro për person, gati sa gjysma e një të huaji.
Ekonomisë i mbeten neto 189 milionë euro
Deri në vitin 2014 vendi kishte një bilanc neto të udhëtimeve negativ, që nënkupton që shqiptarët që udhëtonin jashtë shpenzonin më shumë sesa të huajt që vinin në Shqipëri.
Por, vitet e fundit, bilanci është pozitiv dhe gjithnjë në rritje. Në tre muajt e parë 2023, sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomisë vendase i mbetën neto nga udhëtimet 189 milionë euro, niveli më i lartë rekord.Monitor
Leave feedback about this