KE: Ekonomia e Shqipërisë do të rritet 2.9% këtë vit, por eksportet mbeten në vendnumëro
Aktualitet

KE: Ekonomia e Shqipërisë do të rritet 2.9% këtë vit, por eksportet mbeten në vendnumëro

2023 do të jetë viti më i dobëti në aspektin të rritjes ekonomike gjatë periudhës 2021 -2025, sipas të gjitha parashikimeve të lëshuara nga institucionet e specializuara.

Së fundmi Komisioni Europian në parashikimet e reja të pranverës pret që ekonomia e Shqipërisë të rritet me 2.9% këtë vit, duke rishikuar me rritje projeksionin e vjeshtës, ku ishte parashikuar zgjerim me 2.6%, por eksportet do të mbetën në vendnumëro.

Ngadalësimi nga një rritje prej 4.8% në 2022 po vjen si rrjedhojë e rënies së kredisë për sektorin privat nga rritja e vazhdueshme e normave të interesit, cilësohet në analizën e KE-së. Komisioni rishikoi me rritje në 3.8% edhe projeksionin për 2024, nga 3.4% që ishte në vjeshtë 2022.

Ekonomia shqiptare u rrit me 4.8% vitin e kaluar e nxitur nga konsumi dhe investimet private. Konsumi u nxit nga rritja e punësimit, pagave dhe transfertave sociale. Investimet private, duke përfshirë flukset e larta të investimeve të huaja direkte ndikuan pozitivisht rritjen.

Zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit nxitën eksportet e shërbimeve dhe nga ana tjetër rritja e çmimeve ndikoi në rritjen e fitimeve për eksportuesit analizoi Komisioni Europian.

Besimi i biznesit u përmirësua vazhdimisht që nga nëntori 2022 në të gjithë sektorët, por kredia nisi rënien në fund të vitit 2022 dhe rritja e normave të interesit parashikohet të frenojë investimet këtë vit.

Megjithë presionet rritëse, konsumi pritet të rritet me 3% dhe do të mbështetet nga rritja e punësimit dhe pagave analizoi KE.

Ngadalësimi i kërkesës së brendshme parashikohet të zbusë rritjen e importeve, ndërkohë që kërkesa e jashtme pritet të ushtrojë presione frenuese mbi eksportet e mallrave. Megjithatë, eksportet e shërbimeve pritet të mbeten relativisht të pandikuara nga ngadalësimi i ecurisë ekonomike të partnerëve tregtarë, pasi Shqipëria mbetet relativisht një vend destinacion turistik i lirë dhe tërheqës.

Rritja e PBB-së parashikohet në 2.9% në 2023, por eksportet neto parashikohet të rrinë në vendnumëro, vë në dukje Komisioni Europian.

Në vitin 2024, rritja parashikohet të rikthehet në ritmet 3.8%.

Punësimi do të nxitet nga aktivizimi në forcën e punës i popullsisë jo aktive dhe shkalla e papunësisë do të ulet në 10.3%.

KE vë në dukje se ky parashikim rrezikon të materializohet nga zhvillimet në prodhimin e energjisë. Sektori në Shqipëri varët tërësisht nga burimet hidro dhe nga reshjet. Pritshmëritë rrezikohen gjithashtu edhe nga mungesa e krahut të punës dhe emigracioni i lartë.

Inflacioni parashikohet të ulet në 4.6% në 2023. Banka e Shqipërisë çoi normën bazë të interesit në 3% për të përballuar presionet inflacioniste dhe është vendosur të vijojë normalizimin e qëndrimit të politikës monetare. Ndërsa çmimet e importit janë në rënie dhe presionet e çmimeve nga tregu i brendshëm po pakësohen, inflacioni parashikohet t’i afrohet objektivit prej 3% në vitin 2024./Monitor

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X