Pronësia e kompansë koncesionare të shërbimit të dializës, DiaVita do të ndryshojë sërish. Grupi Diaverum, që e bleu shoqërinë në vitin 2019, do të shitet i gjithi te M42, një kompani e shërbimeve mjekësore në pronësi të fondit publik të investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mubadala Investment Company.Marrëveshja u njoftua zyrtarisht nga të dy palët ditën e mërkurë. Shuma e transaksionit nuk është bërë publike, por sipas analistëve të tregjeve vlerësohet se Diaverum është shitur për më shumë se dy miliardë dollarë. Aktualisht, Diaverum zotërohet nga Bridgepoint Group, një kompani investimesh me qendër në Britaninë e Madhe, e specializuar në investimet në instrumente të kapitalit dhe të borxhit të subjekteve private (private equity dhe private debt). Kompania DiaVita u krijua në fund të vitit 2015, me qëllim marrjen e koncesionit të shërbimit të dializës në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit, financuar nga qeveria shqiptare nëpërmjet Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Koncesioni u miratua në fillim të vitit 2016, për një afat 10 vjeçar dhe me një vlerë të parashikuar prej 8.6 miliardë lekësh. Ortakët themelues të kompanisë ishin shoqëria Evita me 85% të aksioneve dhe Spitali Amerikan (American Hospital), me 15% të aksioneve. Aksioneri kryesor i Evita, është Arimo BV, një shoqëri e regjistruar në Hollandë me kontrollues përfundimtar biznesmenin Klodian Allajbeu. Në shtator 2019, kompania DiaVita u ble nga kompania suedeze Diaverum International AB, pjesë e Diaverum Group, kompani e specializuar në ofrimin e shërbimeve mjekësore për patologjitë e veshkave. Vlera e transaksionit ishte rreth tre milionë euro. Sipas pasqyrave të fundit financiare të publikuara, për vitin 2021 të ardhurat e DiaVita arritën nivelin më të lartë për periudhën e deritanishme koncesionare, në vlerën e 750 milionë lekëve.Për periudhën 2016-2021, të ardhurat totale të DiaVita nga ofrimi i shërbimit të dializës kishin vlerën e rreth 3.5 miliardë lekë ose afërsisht sa 40% e vlerës së parashikuar në kontratën koncesionare. Aktiviteti i shoqërisë ka qenë përgjithësisht fitimpurës, me përjashtim të vitit pandemik 2020, kur raportoi humbje neto në vlerën e rreth 960 mijë lekëve. Fitimi neto i akumuluar për periudhën 2016-2021 ka arritur në rreth 205 milionë lekë. Mbështetur në auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në koncesionin e dializës janë gjetur shkelje serioze dhe shoqëria koncesionare ka përfituar më shumë se 115 milionë lekë pagesa për shërbime të pakryera. Auditimi ka evidentuar se shoqëria koncesionare ka arritur të përfitojë pagesa për shërbimin e dializës në dy rajone të vendit, për periudha kur shërbimi në rajonet në fjalë nuk ka ekzistuar. Përfitimi i pagesës është mundësuar falë një vendimi të formës së prerë të marrë nga Gjykata Administrative e Apelit. Mosmarrëveshja objekt gjykimi midis FSDKSH dhe koncesionarit lidhej me datën e fillimit të pagesës për qendrat e dializës në rajonet Korçës dhe Elbasanit, ku Fondi ka zbatuar si datë të fillimit të pagesës, datat e njoftuara zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë, për fillimin e aktivitetit në secilën prej qendrave, përkatësisht për Rajonin e Elbasanit më datë 27.03.2017 dhe për Rajonin e Korçës më datë 21.04.2017. Koncesionari ka pretenduar që pagesat duhet të fillojnë që nga data 1 nëntor 2016 (sipas kontratës së koncesionit), pavarësisht se shërbimi nuk ka ekzistuar: pra, për periudhën 01.11.2016-27.03.2017 për Rajonin e Elbasanit dhe 01.11.2016 -21.04.2017 për rajonin e Korçës. Shoqëria koncesionare e ka argumentuar kërkesën e saj saj me faktin se vonesat në vënien në funksionim të qendrave të dializës për rajonet Korçë dhe Elbasan janë lidhur me zvarritjen në zbardhjen e lejeve të ndërtimit dhe duke pretenduar përgjegjësinë për këto vonesa në kahun e autoritetit kontraktor./Monitor
Aktualitet
Koncesioni i dializës do të ndryshojë përsëri pronar, Diaverum blihet nga fondi publik i Emirateve të Bashkuara Arabe
- April 20, 2023
- 0 Comments
- 109 Views
Leave feedback about this