Pushuesit italianë, në arrati nga çmimet e çmendura të Italisë, zgjedhin të pushojnë në Shqipëri. Kështu shkruan një ndër gazetat më prestigjioze italiane, “La Repubblica”.
Të shumtë janë ata që zgjedhin të kalojnë Adriatikun nga Bari për të kaluar pushimet në Shqipëri, pasi pushimet në gadishullin Apenin janë të shtrenjta kudo. “Në traget për në Shqipëri me turistë low cost”, është titulli i reportazhit të medias prestigjioze italiane.
Nëpërmjet historive të shumë pushuesve italianë, tregohet se ata kanë zgjedhur Shqipërinë për çmimet konkurruese.
Turistët italianë pohojnë se e kanë zgjedhur Shqipërinë pasi kanë eksploruar në shtete fqinje si Greqia dhe Kroacia, por dhe në këto vende, si në Itali, çmimet janë shtrenjtuar shumë.
Destinacionet e pushuesve italianë janë kryesisht Durrësi, Tirana dhe më pas vijohet në jug të vendit me destinacion Vlorën dhe Sarandën.
“La Repubblica” shkruan se një tjetër pikë e fortë e turizmit italian në ‘Tokën e Shqiponjave’ është se thith ajrin e shtëpisë, mes të afërmve të sapo fituar dhe miqësive të konsoliduara me shqiptarët, që në vitet ‘90 u dyndën në brigjet e Italisë.
Shqipëria prezantohet tashmë si një botë ende e virgjër për t’u eksploruar, por e gatshme për të qenë horizonti i dëshirave intelektuale dhe bredhjeve endacake.
Shqiptarët mirëpresin evropianët që i pritën kur kishin vështirësi për të jetuar. Ata ia kthejnë mikpritjen, por tani jo më, me shumë komplekse inferioriteti.
Sipas të dhënave të INSTAT, shtetasit italianë zënë vendin të tretët sa i përket numrit të turistëve që kanë vizuar Shqipërinë përgjatë muajit Qershor. Normalisht që kryesojnë qytetarët e Kosovës, me 12.7%, më pas renditen gjermanët me 9.1% dhe në vend të tretë renditen turistët nga Italia, të cilët përbëjnë 7.8%, të rreth 1 milion turistëve që vizituan Shqipërinë në Qershor.
Leave feedback about this