Lezha, Gjirokastra, Berati dhe Dibra, me rënien më të madhe të lindjeve në 6-mujorin e parë
Shendetesi

Lezha, Gjirokastra, Berati dhe Dibra, me rënien më të madhe të lindjeve në 6-mujorin e parë

Treguesit e fertilitetit në Shqipëri po përkeqësohen me shpejtësi, duke e renditur vendin me normat më të ulëta të lindshmërisë në Europë.

Megjithëse Qeveria ka aplikuar një mbështetje financiare në formën e bonusit të bebeve që nga 2019, numri i lindjeve po bie me shpejtësi nga viti në vit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 6-mujorin e parë të vitit, lindjet shënuan rënie vjetore në shkallë vendi me 12.7%, por Qarku i Lezhës kishte rënien më të lartë me 23.5%, i ndjekur nga Gjirokastra, me 19%, dhe Berati dhe Dibra përkatësisht, me nga 17% secila.

Rënia e lindjeve me ritme dyshifrore ka përfshirë edhe kryeqytetin. Në 6-mujorin e parë të vitit, në Tiranë lindën 3785 bebe nga 4345 që lindën në 6-mujorin e parë 2022, me një rënie 13%.

Kryeqyteti u rendit në mesin e qarqeve me rënien më të madhe të lindjeve nga 12 qarqet e vendit. Rritja e kostove në kryeqytet, sidomos për pasuritë e paluajtshme dhe qiratë, i ka vështirësuar kushtet për krijimin e familjeve të reja dhe lindjen e bebeve gjithashtu.

Në krahun tjetër, Korça, Kukësi dhe Durrësi kishin një normë më të ulët lindjesh.

Në të gjitha qarqet, rënia e lindjeve është me ritme dyshifrore më 2022. Shkaqet janë shumëdimensionale, por kryesoret lidhen me rënien e popullsisë në grupet me moshë të re. Për shembull në vitin 2022, grupmosha 0-29 vjeç ka rënë me 36% në krahasim me vitin 2001.

Pas dy dekadash nuk do të ishte çudi të shihnim qytete të tëra të braktisura. Imagjinoni që në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës, ku përfshihen edhe Tepelena me Përmetin, kanë lindur 364 bebe më 2022.

Pas 6 vitesh, në të gjitha shkollat e qarkut, do të jenë në klasën e parë vetëm 364 nxënës nëse prindërit e tyre nuk vendosin të emigrojnë jashtë vendit, ose në qytete të tjera, siç ka ndodhur këto vitet e fundit.

Rënia e lindjeve e kombinuar me normat e larta të emigracionit po e vë vendin përballë një sfide të panjohur me parë.

Bizneset në të gjithë sektorët dhe të gjitha qarqet janë në sfidë për gjetjen e punonjësve. Teksa vendi është para mundësive për të zgjeruar ekonominë në sektorin e shërbimeve dhe prodhimit, mungesa e fuqisë punëtore po bëhet një pengesë serioze.

Veç të tjerash struktura e popullsisë së mbetur është përkeqësuar në favor të moshave të vjetra. Të dhënat e INSTAT tregojnë se me 1 janar 2023 popullsia mbi 60 vjeç ishte sa një e katërta e totalit të popullsisë.

Personat + 60 përbënin 23.5% të totalit të popullsisë me një rritje 1 pikë përqindje në krahasim me vitin 2022 dhe me rritje 8.8 pikë për qind që nga viti 2011 kur u krye Censi i fundit për popullsinë./Monitor

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X