Meshkujt shqiptarë e përdorin internetin për të lexuar lajme e hyrë në rrjete sociale, femrat për email.
Aktualitet

Meshkujt shqiptarë e përdorin internetin për të lexuar lajme e hyrë në rrjete sociale, femrat për email.

Meshkujt shqiptarë e përdorin pak më shumë internetin në krahasim me femrat, sipas një raporti të fundit të Eurostat.

Në vitin 2021 (kur raportohen të dhënat e fundit për Shqipërinë), 78% e grave, nga mosha 16 deri në 74 vjeç e kishin përdorur internetin të paktën një herë në javë gjatë tre muajve të fundit përpara se të kryhej sondazhi, përkundrejt 86.7% që ishte mesatarja për të njëjtën periudhë për gratë në Bashkimin Europian.

Burrat shqiptarë e përdorin më shumë internetin. 80% e burrave, nga mosha 16 deri në 74 vjeç e kishin përdorur internetin të paktën një herë në javë gjatë tre muajve të fundit përpara se të kryhej sondazhi, përkundrejt 87.7% që ishte mesatarja për të njëjtën periudhë për burrat në Bashkimin Europian.

Përdorimi i internetit, si nga gratë ashtu dhe nga burrat është më i ulëti në rajon, sipas statistikave të Eurostat, me përjashtim të Bosnjë Hercegovinës dhe ndër më të ulëtit në Europë, së bashku me Greqinë e Bullgarinë.

Rekordin në Europë e mbajnë Islanda, Norvegjia, Zvicra, Suedia, me përdorim mbi 95%, si për meshkujt ashtu dhe për femrat.

Meshkujt rrinë më shumë në rrjete sociale dhe lexojnë më tepër lajme

Në Shqipëri, meshkujt mbizotërojnë në rrjete sociale. 79.16% e burrave e kanë përdorur internetit për të hyrë në rrjete sociale, që nënkupton krijim profili, ose postime ne facebook, twitter e të tjera, përkundrejt 73.9% të femrave.

Ndonëse e përdorin më pak internetin, shqiptarët rrinë në rrjete sociale më shumë sesa suedezët, apo norvegjezët, apo dhe serbët e boshnjakët, por nga e kalon Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Rrjetet sociale në Shqipëri i përdor më shumë grupmosha nga 15-29 vjeç, me mbi 94%, ku rekordin e mbajnë 20-24 vjeçarët me 98.2% (për të dyja gjinitë).

Meshkujt shqiptarë janë më aktivë se femrat edhe për leximin e lajmeve online, me përkatësisht 62.4%, përkundrejt 54.2%.

Sipas grup moshave (të dyja gjinitë), më shumë lexojnë lajmet në internet të rinjtë 25-29 vjeç (rreth 70%). Por edhe më të moshuarit e përdorin tashmë internetin për tu informuar (39% të grup moshës 55-74 vjeç).

Edhe për të kryer veprime bankar përmes internetit, burrat janë më aktivë (7.41% kundrejt 5.78%), ndonëse për të dy kategoritë kjo peshë është shumë më e ulët se mesatarja europiane prej mbi 64%.
Veprimet për internet banking i kryen më shumë grupmosha 25-34 vjeç, me rreth 19% që e kanë përdorur internetin për këtë punë.

Femrat në Shqipëri e përdorin internetin më shumë se meshkujt për të kryer telefonata ose thirrje video dhe për të kërkuar informacion për shëndetin.

Përdorimi në Europë

Në vitin 2022, gratë në BE përdorën internetin pak më pak se burrat (87 % e grave të moshës 16 deri në 74 vjeç përdorën internetin të paktën një herë në javë në tre muajt e fundit para sondazhit, krahasuar me 88 % të burrave.

Kur shikohet se për çfarë përdoret interneti, kishte një përqindje më të vogël të grave sesa burrave në BE që lexonin lajmet në internet (71 % e grave dhe 74 % e burrave që përdornin internetin në tre muajt e fundit para sondazhit) dhe kush përdorte internet banking (64 % e grave dhe 67 % e burrave).

Nga ana tjetër, një përqindje më e lartë e femrave sesa e meshkujve përdorën internetin për të kërkuar informacion shëndetësor (68% e femrave dhe 56% e meshkujve), për të bërë thirrje telefonike apo video (75% e femrave dhe 71% e meshkujve) dhe për të marrë pjesë në rrjetet sociale (66 % e femrave dhe 62 % e meshkujve).

Për dërgimin dhe marrjen e e-mail-eve kishte dallime më të vogla (85 % e grave dhe 86 % e burrave)./Monitor/

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X