Të paktën 300 pacientë që vuajnë nga talasemia në vendin tonë, kanë nevoja të vazhdueshme për transfuzion gjaku, trajtim i përjetshëm që nevojitet çdo dy apo katër javë.
Në ditën botërore të talasemisë, mjekët përsërisin thirrjen për më shumë dhurime vullnetare në kushtet kur 75% e nevojave plotësohen nga familjarët.
“Pacientët me talasemi e kanë të lidhur jetën me transfuzionin e gjakut dhe nëse nuk e marrin në kohën e duhur ka pasoja serioze në shëndetin e tyre. Qëllimi është që nevojat të plotësohen 100% me dhurime vullnetare. Nëse për vitin 2023 kemi arritur në 13.4 dhurime për 1000 banorë, duam që të rritet të paktën në 17 apo 18 dhurime për 1000 banorë. Në këto kushte do të mund të themi që kemi mjaftueshëm gjak”, tha mjekja Viola Shano.
Mjekët gjithashtu vërejnë se ka rritje të nevojës për gjak edhe nga kategori të tjera të pacientëve.
“Në stinën e verës ne e ndjejmë më shumë boshllëkun pasi ka edhe rritje të numrit të aksidenteve ndërsa nga ana tjetër largohen të rinjtë me nisjen e pushimeve. Nga mosha 18 deri 65 vjeç ftoj këdo që është mirë me shëndet dhe që nuk vuan nga sëmundje kronike, të paraqitet qoftë në qendrën kombëtare të transfuzionit të gjakut por edhe në bankat e gjakut që janë të vendosura në çdo spital, që të dhurojë gjak”, u shpreh mjekja.
Fushatës për dhurimin e gjakut gjatë kësaj të mërkure iu bashkuan edhe deputetë të kuvendit të Shqipërisë.
Leave feedback about this