Mjekja: Vaksinimi në kohë mbron fëmijët nga fruthi, rubeola dhe shytat.Regjistrohen 11 raste të rënda me fruth në Tiranë dhe Durrës.
Aktualitet

Mjekja: Vaksinimi në kohë mbron fëmijët nga fruthi, rubeola dhe shytat.Regjistrohen 11 raste të rënda me fruth në Tiranë dhe Durrës.

Regjistrohen 11 raste me fruth në Tiranë dhe Durrës. Drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini thotë se shumica e rasteve të konfirmuar pozitiv për fruth janë të pavaksinuar dhe mosha 1-13 vjec

“Kemi patur raste edhe vitet e kaluara, duke përjashtuar vetëm periudhën e pandemisë. Në këto 10-11 ditë po ndjekim rastet e konfirmuara dhe kontaktet sepse fruthi ka transmetueshmëri. ISHP ka konfirmuar 10 raste me fruth dhe një rast jo i laboratorit publik, në total 11 raste. Gëzojnë shëndet të plotë dhe kanë dalë nga strukturat spitalore nga spitali pediatrik dhe Durrësi. Fasha është 1-13 vjeç”, tha Tomini.

Ashtu si Europa edhe Shqipëria ka një ulje të nivelit të vaksinimit me 3% krahasuar me periudhën para pandemisë duke bërë që të ketë shpërthime të vogla të fruthit.

“Por duhet të theksojmë që javët e fundit OBSH ka sinjalizuar raste alarmi të shpërthimit në Europë dhe Shqipëria nuk është ishull, dhe duke patur mbulesë vaksinale që duhet rritur do kemi edhe raste te tilla. Ne kemi një mbulesë vaksinale 86 % me një dozë dhe 93-94 % me dy doza, një pjesë e popullsisë është e pavaksinuar. Flasim për vaksinat e moshës pediatrike”, tha ajo.

Vaksina e fruthit është e detyrueshme për fëmijët dhe ajo kryhet në moshën 1 vjeçare, por shumica e prindërve po hezitojnë për kryerjen e saj duke e shtyrë në kohë vaksinimin. Frika se kjo vaksinë shkakton autizëm vazhdon ende në popullatë, edhe pse shkencërisht nuk ka asnjë lidhje mes kësaj vaksine dhe sëmundjes. Vaksinimi në kohë për fëmijët është shumë i rëndësishëm. Mjekët pediatër apelojnë prindërit për vaksinimin në kohë të fëmijëve të tyre me vaksinën kundër fruthit, rabeolës dhe shytave.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu thekson në një postim në rrjete sociale se vaksinimi në kohë i fëmijëve siguron një mbrojtje më të mirë.

“Për të mbrojtur fëmijët tuaj nga fruthi, rubeola dhe shytat, duhet patjetër t’i vaksinoni në kohë, sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit. Ndiqni këshillat dhe udhëzimet e mjekëve pediatër për të siguruar një mbrojtje më të mirë për fëmijët tuaj”, shprehet Koçiu teksa ka publikuar edhe video-mesazhin e mjekes pediatre Melida Agastra.

“Gjatë praktikës së punës së përditshme te konsultori i fëmijës, ne si mjekë pediatër, por edhe punonjësit e tjerë shëndetësorë që janë dhe infermieret tona, në të përditshmen tonë kemi si detyrë të punës sonë të bindim dhe të ndërgjegjësojmë prindërit që të sjellin fëmijët pranë konsultorit tonë, për të bërë vaksinimin e përcaktuar nga kalendari kombëtar i vaksinimit, dhe në veçanti vaksinën që mbron nga fruthi, rubeola dhe shyta. Kjo është një vaksinë shumë e rëndësishme që u jep mbrojtje gjatë gjithë jetës fëmijëve. Prindër të dashur, duhet patjetër t’i vaksinoni fëmijët tuaj për mbrojtjen nga sëmundjet e fruthit, rubeolës dhe shytave përveç edhe vaksinave të tjera që kryhen rregullisht. Kjo është një ndër vaksinat që prindërit hezitojnë të vijnë në kohën e duhur apo nga informacionet e gabuara, kërkojnë që të shtyjnë afatin kohor të kryerjes së kësaj vaksine”, shprehet mjekja Agastra

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X