Shpërndarja e bonusit shtesë për familjet në nevojë ka nisur, e do të vazhdojë edhe përgjatë ditëve të para të muajit janar.
Paketa e solidaritetit përfshin 36 mijë familje përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, që kanë në përbërjen e tyre fëmijë, dhe do të marrin një bonus prej 10 mijë lekësh.
Të njëjtën vlerë përfitojnë edhe 15 mijë fëmijë me aftësi ndryshe si dhe 400 të vegjël në kujdestari alternative.
“Për këto kategori është pikërisht vendimi më i fundit i qeverisë. Për këtë arsye janë 50 mijë lekë të cilat ofrohen për personat me aftësi të kufizuar dhe për familje me ndihmë ekonomike. Një fokus i veçantë vjen te fëmijët, duke mbështetur fëmijët në familjet e ndihmës ekonomike dhe fëmijët me aftësi të kufizuar me një vlerë 10 mijë lekë”, tha ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Sipas ministres Koçiu, përveç mbështetjes financiare, do të marrin prioritet edhe programet sociale me qëllim integrimin dhe gjithëpërfshirjen.
“Prioriteti i qeverisë dhe MSHMS-së mbetet integrimi social i tyre në shoqëri, përkrahja dhe mbështetja për punësimin, arsimi profesional dhe gjithëpërfshirja e kësaj kategorie në jetën sociale dhe kulturore të vendit.”
Përfituese të bonusit prej 5,000 lekësh do të jenë 28 mijë familje dhe 58 mijë individë me aftësi të kufizuara.
Leave feedback about this