Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi tha sot në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik se ndryshimet dhe shtesat që propozohen në ligjin e arsimit parauniversitar janë rrjedhojë e një pune të gjatë më shumë se njëvjeçare.
Kushi vuri në dukje se, nevoja për këto ndryshime ka ardhur për të zgjidhur disa nga problematikat që janë shfaqur më shpesh në këtë fushë, po ashtu edhe për ta përafruar këtë ligj me direktivat e BE-së.
Kushi tha se, një nga arsyet që kemi vendosur ta ndryshojmë ligjin, kanë qenë pikërisht shkollat speciale për nxënësit me aftësi ndryshe.
“Kemi parë jo vetëm në rajon por edhe vendet e zhvilluara të BE për një mënyrë më të mirë funksionimi, që nga ana e strukturës se si janë të organizuara, por edhe të funksionimit. Dhe ne kemi menduar që këto shkolla speciale t’i kthejmë në qendra burimore ku jo vetëm të ketë proces arsimor, por të ketë edhe shumë shërbime për nxënësit me aftësi ndryshe, për familjet e tyre, për mësuesit, të ketë trajnime dhe shumë procese të tjera që natyrisht i vijnë më shumë në ndihmë nxënësve dhe familjeve të tyre. Ne kemi 7 shkolla speciale dhe dy institute, instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë dhe i nxënësve që nuk shikojnë. Kemi menduar ta fillojmë me dy institutet. Dhe më pas ta shtrijmë edhe me shkollat speciale që janë në qytete të ndryshme të vendit”, u shpreh Kushi. Lajmi i mirë, vijoi ajo është që ne për këtë vit shkollor ne për Institutin e Nxënësve që nuk dëgjojnë për herë të parë kemi hapur shkollën e mesme, teksa shtoi se, qendrat burimore do të funksionojnë me një strukturë të re, kurrikul të re, mënyrë funksionimi të re, si të rritet më shumë efikasiteti i shërbyer kësaj kategorie.
Ministrja theksoi se, një ndryshim tjetër ka të bëjë me sigurinë dhe mbrojtjen e nxënësve nga individë që mund të përbëjnë rrezik për ta.
“Mësuesit që janë të dënuar për vepra penale ndaj të miturve, apo vepra të tjera edhe pse mund të jenë të rehabilituar nga këto dënime, persona të tillë nuk do të lejohen asnjëherë që të punojnë brenda IA, qoftë mësues, apo qoftë në pozicione të tjera. Madje edhe nëse i konstatohen që janë sot pjesë e sistemit arsimor, ata me procedura të përcaktuara ndërpresin marrëdhënien e punës”, u shpreh Kushi.
Një tjetër ndryshim, informoi ajo, ka të bëjë me regjistrimet në klasë të parë të fëmijëve, edhe nëse e mbushin moshën 6 vjeç pas datës së fillimit të vitit shkollor, por deri në 31 dhjetor të atij viti.
Një tjetër ndryshim vijoi ajo lidhet me konceptin e shkollës së bashkuar.
“Në shumë zona, përgjithësisht zona të largëta, rurale, sot në realitet ne kemi raste të shkollave që i kanë të treja ciklet, fillor, të mesëm të ulët, dhe të mesëm të lartë, madje në ndonjë rast kanë edhe klasa parashkollore. Në ligj nuk ekziston ky koncept. Pra ka një vakum ligjor, ndërkohë që ne e gjykojmë të nevojshme në disa zona ku numri i nxënësve është i ulët të funksionojnë shkollat e bashkuara”, tha Kushi.
Gjithashtu theksoi ministrja, ndryshimet prekin shkollat me status të veçantë, siç janë shkollat artistike dhe sportive.
“Janë shkolla që kanë arsim të orientuar, por që të kenë rezultate më të mira, të funksionojnë më mirë, që të japin më shumë impakt edhe në shoqëri është e nevojshme që të kenë një status të veçantë dhe të kenë një mënyrë tjetër organizimi, strukturimi, edhe punësimi të mësuesve apo regjistrimi të nxënësve, edhe për sa i takon financimit të tyre në mënyrë që ta përmbushin sa më mirë qëllimin”, tha Kushi.
“Por ndërkohë përveç shkollave artistike, që tashmë i kemi në shumë qytete të vendit, por nuk i kemi dot në çdo qytet apo bashki, për të plotësuar nevojat që kanë talentet, familjet e këtyre talenteve, për tu dhënë edhe atyre një mundësi, ne kemi menduar që edhe në shkollat normale, të zakonshme, të krijojmë klasa të orientuara. Edhe pse shkolla nuk është shkollë artistike, nëse në atë zonë apo qytet ka kërkesa, fëmijë të talentuar, në një disiplinë të caktuar, ne kemi menduar tua japim këtë mundësi dhe t’i përgatisim këta nxënës që më pas kur të vazhdojnë studimet në shkollën e mesme të orientuar, të jenë të përgatitur. Ne kemi 17 shkolla të orientuara në të gjithë vendin. 11 janë shkolla artistike. Por sot kemi edhe 4 shkolla që kanë klasa artistike, me arsim të orientuar. Dy në Tiranë, 1 në Gjirokastër, 1 në Kavajë. Është më se e nevojshme që edhe ta rregullojmë nga ana ligjore, por çka është edhe më e rëndësishme edhe të nxisim edhe hapjen e klasave të orientuara edhe në ato zona të largëta që mund të duken”, deklaroi Kushi.
Ministrja tha se, një tjetër risi që sjell ky ligj, ka të bëjë për mësuesit në dispozicion. “Duke qenë se për procedura për zëvendësimin afatshkurtër të mësuesve merr kohë dhe nxënësit mbeten një ditë, dy ditë apo tre ditë pa mësim. Për ta shmangur këtë problematikë ne kemi menduar që në çdo ZVA të krijojmë një strukturë të mësuesve në dispozicion që do të jenë atje me kontratë një vjeçare me zyrën arsimore dhe në çdo moment që ka nevojë në një shkollë të caktuar, kjo nevojë të plotësohet menjëherë dhe nxënësit të mos mbeten asnjë orë me ndërprerje të mësimit”, tha ajo.
Gjithashtu një tjetër vakum ligjor është ndeshur edhe për institucionet që i quajnë aftër-school, ku prindërit i dërgojnë fëmijët e tyre disa orë pas orarit mësimore, gjatë pasditeve apo fundjavës, dhe nxënësit edhe bëjnë detyrat e shtëpisë por edhe aktivitete të tjera.
“Ne kemi menduar që më pas me një udhëzim pas miratimit të ligjit, ta rregullojmë jo vetëm kriteret që duhen për tu licencuar këto institucione, por edhe mënyrën se si do të funksionojnë. I kemi quajtuar institucione plorësuese private”, sqaroi ministrja.
Kushi tha se, kemi nisur vitin e kaluar iniciativën për të pasur 400 vlerësues të jashtëm, pikërisht për shkak të nevojës që kemi për të bërë vlerësime dhe inspektime për institucione të ndryshme. Tashmë kemi një strukturë që janë mësues, drejtues institucionesh, që janë trajnuar për të bërë edhe këtë lloj detyre në momente të sakatuara kur ne kemi nevojë.
“Një tjetër rregullim që kemi bërë është që bashkitë tashmë kur vendosin për të ndërtuar një shkollë të re apo rikonstruktuar një shkollë ekzistuese, duhet të marrin një mendim, duhet ta konsultojnë me MAS. Pikërisht që shpërndarja e investimeve të bëhet e koordinuar apo sipas nevojave dhe politikave të arsimit parauniversitar”, tha ajo.
Kushi theksoi se, ligji ka edhe shumë çështje të tjera teknike të cilat bashkë me kolegët jemi shumë të gatshëm t’ju japim përgjigje, apo t’i sqarojmë më në detaje. Këto ishin ato ndryshimet kryesore që ne mendojmë se do të japin një impakt pozitiv në funksionimin e IA por edhe zbatimin më me efikasitet të politikave dhe strategjisë tonë për arsimin në Shqipëri 2021-2026.
Leave feedback about this