Në 2023, kosto vjetore e jetesës është rritur me 9.4% për familjet e varfra shqiptare.
Ekonomi

Në 2023, kosto vjetore e jetesës është rritur me 9.4% për familjet e varfra shqiptare.

Kosto e jetesës në vendin tonë dhe sidomos për të varfrit është rritur më shumë se sa tregon inflacioni analizoi Banka Botërore në një studim për Vendet e rajonit të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore (Rajoni ECA).

Në vitin 2023 Indeksi i Kostos së Jetesës për familjet e varfra u rrit me 9.4 për qind në Shqipëri.

Të dhënat e Bankës tregojnë se këtë vit varfëria relative me 6,7 USD në ditë përfshin më shumë se 23 për qind e popullsisë. Për gati një të katërtën e vendit që jeton në varfri kosto e jetesës pas nisjes së luftës në Ukrainë është rritur ndjeshëm.

Për rastin e Shqipërisë rritja ka qenë më e lartë për të varfrit në raport me shtresën e mesme dhe atë të pasur. Kostot mesatare të jetesës në Shqipëri u rritën me 8.8 % në fillim të vitit 2023. Për shtresën e mesme kostot u shtuan me 8.9 për qind dhe për të pasurit vetëm me 7,8%, por për të varfrit rritja ishte me 1.6 pikë për qind më e lartë se për të pasurit.

Kostot e jetesës u vështirësuan kryesisht pas nisjes së luftës në Ukrainë. Më të varfrit dhe kryesisht ato që jetojnë në zona rurale u ndikuan më shumë. Ky trend ishte i dukshëm në shumicën e vendeve të Europës dhe Azisë, me përjashtim te Bjellorusisë, ku familjet më të pasura përjetuan inflacion më të lartë se familjet e varfra.

Diferenca mesatare në normat e inflacionit ndërmjet familjeve më të varfra dhe më të pasura janë më të padukshme në vendet e zhvilluara të BE-së se sa në vendet në zhvillim. Kjo tregon se fenomeni i pabarazisë në vendet në zhvillim po bëhet gjithnjë e më i mprehtë.

Ballkani Perëndimor parashikohet të përjetojë ngadalësim të ekonomisë për shkak të përhapjes së efekteve nga pushtimi rus i Ukrainës, të tilla si konsumi më i ulët privat, kushtet më të shtrënguara financiare globale dhe një rënie e kërkesës nga Bashkimi Europian.

PBB-ja e rajonit parashikohet të rritet mesatarisht në 3.4 për qind mesatarisht gjatë 2024–2025.

Rreziqet e rënies dominojnë perspektivën dhe lidhen kryesisht me inflacionin e qëndrueshëm që gërryen të ardhurat dhe besimin e konsumatorëve.

Shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve financiare globale mund të pengojë aksesin në financimet nga tregu i jashtëm. Rritja më e dobët në zonën e euros mund të ulë remitancat në Ballkanin Perëndimor, duke shkaktuar më pas një rënie të konsumit privat, sidomos në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë.

Rritja e tensioneve gjeopolitike në Rajon përbën gjithashtu një rrezik për shkak të tensioneve (Kosovë-Serbi dhe Bosnja-Serbi).

Më tej Banka Botërore analizon se brishtësia politike në Ballkan përkeqëson pasigurinë, ngadalëson proceset jetike të reformave dhe shmang fokusin nga sfidat strukturore ekonomike.

Përshtatjet e tarifave të energjisë dhe subvencionet për ndërmarrjet shtetërore të energjisë do të ndihmojnë në rivendosjen e ekuilibrave fiskalë sidomos në Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi, thekson Banka./Monitor/

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X