Numri i abonentëve të internetit me brez të gjerë nga linjat fikse u rrit përsëri vitin e kaluar.
Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se numri i abonentëve në fund të vitit 2022 arriti në 582 mijë, në rritje me 8.5% krahasuar me një vit më parë. Ritmi i rritjes u përshpejtua nga niveli prej 5.4% që ishte shënuar në vitin 2021.
Ecuria e tregut rezultoi pozitive edhe me bazë tremujore, me një rritje prej 2.4% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit.
Tregu i shërbimit të internetit broadband me linja fikse në dekadën e fundit ka qenë mjaft konkurrues, sidomos në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i lartë dhe ku janë përqendruar edhe investimet e operatorëve në infrastrukturë rrjeti. Megjithatë, statistikat e numrit të abonentëve të internetit fiks janë subjekt rishikimi të shpeshtë nga AKEP dhe shifrat shpeshehrë përditësohen në publikimet e mëpasshme. Shumë prej operatorëve më të vegjël nuk raportojnë rregullisht të dhënat e tyre dhe shpesh shifrat për këta operatorë bazohen në vlerësime të kryera nga vetë AKEP.
Por, nga ana tjetër, edhe raportimet e operatorëve më të mëdhenj ndonjëherë nuk janë shumë të sakta. Burime nga tregu bëjnë të ditur se shpesh operatorët kanë tendencën të mos zbresin abonentët e larguar nga shifrat që raportojnë çdo tremujor në AKEP. Kjo bëhet për të treguar një peshë tregu më të madhe nga sa kanë në të vërtetë. Këto praktika bëjnë që statistikat për numrin e abonentëve të internetit të kenë një marzh pasaktësie dhe rishikime të shpeshta nga AKEP.
Viti i kaluar shënoi edhe përfundimin e kryesimit të operatorit historik, Albtelecom, në tregun e shërbimit të internetit. Dy vjet pasi hyri në tregun e shërbimeve me linja fikse duke blerë operatorin ekzistues Abcom, Vodafone Albania ka marrë kryesimin edhe në këtë treg.
Sipas të dhënave nga AKEP, në fund të vitit 2022 Vodafone raportonte mbi 126 mijë abonentë në shërbimin e internetit me brez të gjerë, shifër që përbën afërsisht 21.7% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të tregut. Gjatë vitit 2022, Vodafone e rriti numrin e abonentëve me 13.5%, rritja më e lartë mes aktorëve të rëdnësishëm të tregut.
Ndërkohë, Albtelecom pësoi sërish rënie të numrit të abonentëve të internetit fiks edhe gjatë vitit 2022. Në fund të vitit, numri i abonentëve ishte rreth 113 mijë, në rënie me 4.2% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, numri i abonentëve të Albtelecom shënoi një rritje të lehtë në tremujorin e fundit, duke shfaqur sinjalet e para të rimëkëmbjes. Prej fundit të vitit 2022, Albtelecom u bashkua ligjërisht me operatorin tjetër ONE Telecommunications dhe kompania e re prej këtij viti vepron me emrin e ri One Albania.
Vitin e kaluar, Albtelecom dhe ONE u blenë nga kompania hungareze 4iG. Ky transaksion solli përqendrimin e tregut të telefonisë celulare, por nga aan tjetër tjetër pritet t’i japë një shtysë të re konkurrencës në segmentin e shërbimeve fikse, ku Albtelecom ishte në rënie të vazhdueshme.
Kompanitë e tjera janë ende larg dy aktorëve mbizotërues në treg, por me një tendencë të vazhdueshme në rritje. E treta pozicionohet ASC (Tring), me 10.4% të tregut, e ndjekur nga Abissnet, me 7.4% dhe Digicom, me 4.6%.
Në këtë treg veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm operatorësh më të vegjël rajonale dhe lokalë, që, të marrë së bashku, sipas vlerësimeve të AKEP, zotërojnë rreth 30% të numrit të përgjithshëm të abonentëve./Monitor
Leave feedback about this