Komisioni Europian në raportin e fundit të zgjerimit për Shqipërinë vlerëson se vendi ka një nivel të moderuar dhe të mirë përgatitjeje në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale dhe ka bërë disa përparime në këtë fushë.
Pavarësisht pasojave ekonomike nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ekonomia shqiptare tregoi elasticitet dhe rritja e PBB-së mbeti e fortë në vitin 2022. Inflacioni u rrit mbi objektivin në 2022, por mbeti njëshifror dhe më pas u ul në fillim të 2023.
Rimëkëmbja e fortë mbështeti ecurinë e tregut të punës, duke i dhënë Shqipërisë shkallën më të lartë të pjesëmarrjes dhe një nga normat më të ulëta të papunësisë në rajon.
Raporti vlerëson se raporti i borxhit publik ra shumë më tepër se sa pritej, nën nivelin e tij të para krizës 2019, por mbetet ndër më të lartat në rajon.
Ka pasur reforma për të përmirësuar shpenzimet e investimeve, planifikimin dhe ekzekutimin, dhe monitorimin e rreziqeve fiskale, por Komisioni thekson se dobësitë vazhdojnë në të dyja fushat.
Ka pasur disa përparime në reformat e lidhura me të ardhurat, por planet për të miratuar një strategji afatmesme të të ardhurave janë lënë mënjanë.
Në kahun tjetër niveli i ulët i të ardhurave vazhdon të pengojë investimet, që janë shumë të nevojshme. Sektori financiar mbeti i qëndrueshëm dhe vazhdoi të zgjerohej, por ndërmjetësimi financiar mbetet i ulët.
Mjedisi i biznesit përfitoi nga një nivel më i lartë i dixhitalizimit të shërbimeve publike. Megjithatë, vazhdojnë sfidat që lidhen me një ekonomi të madhe informale dhe mungesën e fuqisë punëtore të kalifikuar. Nuk u shënua përmirësim i ndjeshëm as për konsultimet me publikun nga qeveria.
Raporti e vë theksin te mungesa e transparencës për rindërtimin dhe nevojën e ngritjes së mekanizmave për të forcuar kontrollin mbi projektet e partneritetit publik privat (PPP).
“Shpenzimet e rindërtimit pas tërmetit nuk kishin transparencë pasi nuk u integruan në procedurat e rregullta të financave publike.
Reformat e nisura në fund të vitit 2022 synojnë të harmonizojnë dhe përmirësojnë procedurat e vlerësimit për lloje të ndryshme të projekteve të investimeve publike dhe kanë rezultuar deri tani në ngritjen e një projekti të vetëm kombëtar, i cili gjithashtu forcon prioritetet e projekteve në përputhje me hapësirën fiskale dhe mund të kontribuojë në reduktimin e detyrimeve të prapambetura. Është i nevojshëm një ndryshim në legjislacionin e PPP-ve për integrimin e PPP-ve në këto procedura të reja”.
Një udhëzim i publikuar në dhjetor 2022 prezantoi kërkesa shtesë për raportim për të gjitha organet publike për rreziqet e mundshme fiskale, përfshirë ato që lidhen me PPP-të, por raporti thekson se ende nuk janë përmirësuar kapacitetet dhe mandati i njësisë së rrezikut fiskal për të përdorur plotësisht këtë informacion.
Raporti pohon se ka pasur një ulje të ndjeshme të numrit të PPP-ve të reja. Përdorimi i PPP-ve të pakërkuara gjithashtu u kufizua. Në fund të vitit 2022, regjistri i PPP-ve/koncesioneve përmbante informacion për 228 kontrata.
Raporti thekson se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar po kthehet në shqetësim.
“Ekziston një perceptim në rritje se vështirësitë në rekrutimin e fuqisë punëtore të kualifikuar po bëhen pengesë për biznesin dhe sipërmarrësit po kërkojnë gjithnjë e më shumë masa nga qeveria për të ndihmuar në mbajtjen e punëtorëve dhe për të ofruar stimuj për kthimin e diasporës”.
Pavarësisht disa përparimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, ai mbetet një fushë me shqetësim serioz, thekson raporti.
Organet e SPAK kanë kryer hetime për një sërë çështjesh të nivelit të lartë, duke urdhëruar disa arrestime dhe dënime për një sërë çështjesh të nivelit të lartë.
Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët vulnerabël.
Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në një nivel të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit.
Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar ndjekjen e duhur gjyqësore në rastet e verifikimit ku ka indikacione për vepra penale, rekomandon raporti./ MONITOR
Leave feedback about this