Zbatimi i Kodit të ri të Transmetimit ka dhënë efektet e para. Me propozim të Këshillit të Ankesave, vetëm për muajin Tetor, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka miratuar pesë masa “Tërheqje vëmendjeje”, për pesë televizione. Shkeljet e konstatuara janë, për përdorim të gjuhës seksise dhe mizogjene, transmetim të skenave që mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, mendor dhe moral të të miturve dhe shkelja e parimit të prezumimit të pafajësisë.
Në korrik të këtij viti, AMA miratoi Kodin e ri të Transmetimit i cili përmban 11 Seksione, kundrejt 8 syresh që përmbante Kodi paraardhës. Në të janë shtuar seksionet e luftës kundër diskriminimit, promovimi i barazisë gjinore, parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes në transmetimet audiovizive, ndërkohë që janë përpunuar dhe zgjeruar në masën 60% të gjitha seksionet e tjera.
Siç ka bërë me dije më parë, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, numri i ankesave që vijnë nga individë, grupe individësh apo shoqata pranë Këshillit të Ankesave ka ardhur duke u rritur sidomos dy vitet e fundit. Gjatë 2022, ky Këshill ka administruar mbi 300 ankesa, ndërkohë që gjatë vitit 2023, deri në Tetor ka pasur më shumë se 330 të tilla. Kryesisht ankesat kanë të bëjnë me gjuhën seksiste të përdorur në transmetimet televizive dhe për shkelje të të drejtave të njeriut dhe të fëmijëve nga televizionet dhe radiot.
Gjithashtu edhe monitorimi i përmbajtjeve të transmetuara nga televizionet gjatë muajit Tetor, ka përfunduar me pesë masa të tjera, “Tërheqje Vëmendjeje”, për pesë televizione me shtrirje kombëtare. Shkeljet e konstatuara nga ekipi i Monitorimit dhe Analizës në AMA kanë të bëjnë me transmetimin e komunikimeve tregtare dhe reklamave në edicionet informative, të ndaluara qartësisht nga ligji. Duke qenë se, gjatë procesit të monitorimit, pesë televizione janë gjetur në shkelje të neneve që përcaktojnë se “komunikimet me natyrë tregtare të fshehura janë të ndaluara”, AMA ka marrë masën “Tërheqje vëmendje” me paralajmërimin se, në raste të përsëritura, do të vijohet me procedimin administrativ, sipas legjislacionit në fuqi.
Leave feedback about this