Shumë kush do të mendoj, po mirë, ja u trafikuan apo eksportuan 20 mijë ton mbetje të rrezikshme nga vendi ynë? Ku qëndron problemi, për sa kohë këto mbetje u larguan nga Shqipëria. Nuk është kështu: E para, këto 20 mijë ton mbetje nuk janë prodhuar në Shqipëri dhe u takon institucioneve ligjzbatuese të zbulojnë se si mbërritën në Shqipëri, ndërsa me ligj ndalohet importi i tyre. Dhe e dyta, pikërisht këto paligjshmëri dhe plagët e së shkuarës me mbetjet toksike e kanë kthyer vendin tonë në një bombë me sahat, ku rastet e të prekurve me kancer janë aq të larta sa në asnjë vend tjetër të botës. Trafiku i mbetjeve të rrezikshme, duket se nuk është një histori e re për Shqipërinë. Prej vitit 2020, Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me gjermanët e GIZ kanë hartuar Dokumentin e Politikave Strategjike dhe Planin Kombëtare të Menaxhimit të Integruar të mbetjeve, ku pjesë e këtij studimi është edhe harta e zonave me ndotjen më të lartë nga mbetjet e rrezikshme. Sipas këtij dokumenti, janë dhjetra zona të ndotura në territorin e vendit, që prej vitesh janë kthyer në një rrezik për jetën e qytetarëve, pasi këto mbetje nga shiu dhe uji përhapen në natyrë e gjallesa duke u kthyer në rrezik serioz për jetën e qytetarëve.
Sipas Raportit, një nga zonat më të ndotura dhe me prani të madhe të lëndëve të rrezikshme është fshati Balëz në Elbasan. Në këtë fshat me rreth 1200 banorë ndodhen depozitat e mbetjeve të rrezikshme, ku mësohet se janë magazinuar 216 ton mbetje të kimikatesh si, dikloremetan, kripëra të arsenikut, nitrate amoni, hidrokside të amonit, lëndë këto tepër të rrezikshme për jetën e njeriut. Jo vetëm raportet zyrtare, por edhe vetë banorët e zonës ankohen për problemet që konstatojnë çdo ditë nga era e rëndë që lëshohet nga këto depozita me afro 216 ton mbetje vdekjeprurëse. Në qarkun e Elbasanit Balza është vetëm një zonë, pasi ky qytet për shkak edhe të ish-metalurgjikut, konsiderohet si qyteti më i rrezikuar në Shqipëri. Në kompleksin e shkrirjes së metaleve në Elbasan përllogariten rreth 1.5 deri në 2 milionë ton mbetje metalesh, të trashëguara në 35 vitet e fundit, të cilat derdhen në ujërat e lumit Shkumbin, duke bërë kështu përhapje më të shpejtë të rrezikut për jetën e qytetarëve. Jo vetëm nga përpunimi i hekurit, por edhe zonat e nxjerrjes së përpunimit të naftës në Fier, rezultojnë tepër të ndotura nga hedhja në mjedise të hapura të mbetjeve të rrezikshme të nxjerra nga përpunimi i naftës. Sipas ekspertëve në zonën e Patos- Marinzës ujrat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë ndotën nga puset e naftës, dhe në ajër shkarkohet gazi sulfurik dhe hidrokarbure të ndryshme.
Ujrat e përdorur nga këto impiante shkarkohen në ujrat e lumit Gjanica, ku përveç përbërësve të naftës kanë edhe lëndë toksike. Po në të njëjtin qark, 850 m3 solucione të mbetura nga Uzina e Azotikut, ndotin tokën dhe ujrat nëntokësor. Mbetjet me përmbajtje arseniku, derdhen në tubacionet e ujit të pijshëm apo shkarkohen në rrjedhën e lumenjve. Si zona të ndotura nga mbetjet toksike dhe me rrezikshmëri të lartë për mjedisin dhe jetën e qytetarëve raportohet edhe zona e Bajzës në Shkodër. Në Stacionin hekurudhor 80 ton mbetje të sodium florsilikatit dhe mbetje të trajtimit të lëkurave, vijojnë të kërcënojnë jetën e qytetarëve. Në Vlorë, 5km larg qytetit të Vlorës, 5 deri në 6 hektarë e a të fabrikës së vjetër të PVC rezulton e ndotur deri në thellësinë 1. 5 metra. Ndotje alarmante dhe rritje e nivelit të mbetjeve të rrezikshme raportohet thuajse në të gjitha zonat minerare të vendit. Rreziku shtohet edhe më shumë, pasi sasia e mbetjeve në këto zona vijon të shtohet nga viti në vit dhe hidhen pa asnjë masë në rrjedhat e lumenjve. Në kushtet, kur shteti nuk merr asnjë masë për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme, por për më tepër bëhet pjesë e trafikut ndërkombëtar, pasojat nga këto mbetje përjetohen çdo ditë nga qytetarët.
Çdo vit, ISHP raporton për rritje të rasteve të prekura nga kanceri, e pjesa më e madhe e të prekurve vijnë pikërisht nga këto zona të ndotura. Vetëm për vitin 2023 raportohet se edhe numri I vdekjeve nga kanceri ka pësuar rritje. Nëse në vitin 2022 sipas INSTAT humbje jete nga kanceri ishin 3233, në vitin 2023 pari një rritje me 103 raste, ku në total humbën jetën 3336 qytetarë. Nga sa ndoqëm deri tani, trafiku ndërkombëtar i mbetjeve nuk duket një përgjegjësi vetëm e kompanive private. Një koordinim thuajse perfekt i disa institucioneve, e kanë lehtësuar eksportin e tyre, pa patur as dokumentacionin shoqërues më minimal, të përcaktuar nga legjislacioni shqiptar apo ai ndërkombëtar, siç një prej tyre është edhe konfirmimi i vendit pritës. Por veç shqetësimit që Shqipëria po sjell në vendet e tjera me trafikun e tyre, problemi më i madh mbetet te rreziku që i kanoset qytetarëve shqiptar nga kthimi i Shqipërisë në një depozitë mbetjesh të rrezikshme.
Leave feedback about this