Shqipëria renditet ndër shtetet që kanë humbur më shumë popullsi që pas viteve ’90, kur filluar dhe ndryshimet e vrullshme politike, ekonomike e demografike.
Eurostat ka publikuar në ditën e popullsisë të dhëna për ecurinë e popullsisë së shteteve të Europës.
Në vitin 2023, në krahasim me vitin 1990, popullsia në Shqipëri është reduktuar me 15.1%, duke zbritur në 2,761,785 banorë, nga 3,254,541 që ishte përpara se të fillonte cikli i emigracionit dhe plakja graduale e popullsisë.
Me këto ritme, Shqipëria renditet e pesta në Europë (pa përfshirë vendet e ish Bashkimit Sovjetik) për ritmet e larta të reduktimit të banorëve të saj.
I pari në Europë është Bullgari, që ka parë një rënie të popullsisë me 26.4%, që nga 1990-a, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina, me 22.4%. Bosnja kishte një rënie të ndjeshme në vitet e para të ’90, si rrjedhojë e konflikteve rajonale. E treta është Kroacia, me rënie 17.9% dhe e katërta Rumania me 17.9% tkurrje.
Ndryshe nga Europa Lindore, ajo perëndimore e ka rritur popullsisë, pasi ka qenë pritëse e emigrantëve që kanë ardhur nga vendet e Lindjes. Në Bashkimin Europian me 27 anëtarë, popullsia është rritur me 7.3% që nga viti 1990.
Në Shqipëri, emigracioni dhe plakja graduale e popullsisë kanë qenë faktorët kryesorë që kanë ndikuar tendencën tkurrëse.
Në 2023 Popullsia e BE-së rritet sërish pas dy vitesh rënie
Sipas Eurostat, pas një rënie të popullsisë në 2020 dhe 2021, për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19, popullsia e BE-së u rrit në 2022, nga 446.7 milionë në 1 janar 2022, në 448.4 milionë më 1 janar 2023.
Ndryshimi natyror negativ (më shumë vdekje se lindje), u tejkalua nga emigrimi neto pozitiv. Rritja e vëzhguar e popullsisë, mund t’i atribuohet kryesisht rritjes së lëvizjeve të emigrantëve pas COVID-19 dhe fluksit masiv të personave të zhvendosur nga Ukraina, që morën statusin e mbrojtjes së përkohshme në vendet e BE-së, si pasojë e pushtimit rus në shkurt 2022.
Popullsia e BE-së u rrit nga 354.5 milionë në 1960, në 448.4 milionë më 1 janar 2023, një rritje prej 93.9 milion njerëz. Shkalla e rritjes së popullsisë, është ngadalësuar gradualisht në dekadat e fundit: për shembull, popullsia e BE-së u rrit mesatarisht me rreth 0.8 milionë persona në vit, gjatë periudhës 2005-2022, krahasuar me një rritje mesatare prej rreth 3.0 milionë persona në vit, gjatë viteve ’60.
Ndërsa, popullsia e BE-së ra shpejt në vitin 2020, me rreth gjysmë milioni persona, dhe në vitin 2021 me pothuajse 0.3 milion persona, për shkak të pandemisë COVID-19, shifrat e reja tregojnë se ajo ka filluar të rritet.
Popullsia e vendeve individuale të BE-së më 1 janar 2023, varionte nga 0,5 milionë në Maltë, në 84,4 milionë në Gjermani. Gjermania, Franca dhe Italia së bashku, përbënin pothuajse gjysmën (47%) e popullsisë totale të BE-së, më 1 janar 2023.
Ndërsa popullsia e përgjithshme e BE-së u rrit në vitin 2022, rritje e popullsisë nuk u vërejt në çdo shtet anëtar.
Në total, shtatë vende regjistruan rënie të popullsisë, midis 1 janarit 2022 dhe 2023, me rënien më të madhe të raportuar në Itali (-179 419 persona), dhe më të voglën në Sllovaki (-5 920).
Rritje e popullsisë u vu re në 20 vendet e tjera, ku rritja më e madhe ishte në Gjermani (1 121 721) dhe më e vogla në Letoni (7 251). MONITOR
Leave feedback about this