Shqiptarët kryen mbi pesë milionë veprime bankare nga interneti në 2022.
Ekonomi

Shqiptarët kryen mbi pesë milionë veprime bankare nga interneti në 2022.

Përdorimi i pagesave bankare në distancë u rrit për vitin e shtatëmbëdhjetë radhazi gjatë 2022.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 6.28 milionë. Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e rritën numrin e veprimeve bankare në distancë me 22.4% ose me 1.15 milionë veprime më shumë.

Veprimet bankare në distancë janë transaksionet bankare që kryhen nëpërmjet internetit dhe aplikacioneve në telefonat celularë. Rritja e përdorimit të shërbimeve të bankingut në distancë është akoma më e lartë në vlerë monetare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2022 volumi total i transaksioneve arriti në 1.56 trilionë lekë, në rritje me 29.7% krahasuar me një vit më parë.

Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga të gjitha bankat tregtare në Shqipëri dhe numri i përdoruesve të shërbimit po regjistron rritje të shpejtë.

Në fund të vitit 2022, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 878 mijë, në rritje vjetore me 24%. Vlerësohet se tashmë 28.2% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 23.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2021.

90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Vitin e kaluar individët shënuan edhe shkallën më të lartë të rritjes së numrit të llogarive të lidhura me internetin, me 25% më shumë. Për sa i përket bizneseve, numri i llogarive të lidhura me internetin u zgjerua me 16%.

Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet masave rregullatore. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.

Ndërkohë, për shumat më të mëdha transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave. E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jetë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave.

Gjithashtu, ligji i ri “Për shërbimet e pagesave” pritet të krijojë hapësira për rritjen e mëtejshme të pagesave dixhitale, duke nxitur më shumë konkurrencën mes institucioneve financiare të pagesave. Që nga viti 2024 pritet të bëhet i zbatueshëm koncepti i bankingut të hapur.

Kjo do të mundësojë që klientët të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërisht nëpërmjet bankës ku kanë llogarinë.

Mbi këtë bazë, çdo zotërues i një llogarie bankare mund të marrë informacion mbi gjendjen e llogarisë dhe të iniciojë pagesa edhe nga një institucion financiar i ndryshëm nga banka, i licencuar për këto shërbime. Monitor.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X