ntervistë me Ergys Verdho, administrator i KESH sh.a.
Shqipëria ka varësi të lartë të prodhimit të energjisë nga burimet hidrike, por ndryshimet klimatike e kanë vënë theksin në domosdoshmërinë e diversifikimit të tyre.
Ergys Verdho, administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH sh.a.), kompania shtetërore e prodhimit të energjisë, pohon se krahas investimeve për rritjen e sigurisë së veprave hidroteknike në të tre hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin, që ka nën administrim, ka nisur njëkohësisht të zhvillojë edhe disa projekte për ngritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të saj.
Projekt tjetër madhor është dhe ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës, i cili është hidrocentrali i fundit i kaskadës së Drinit, i projektuar dhe i konceptuar që në fazat fillestare të studimit të kaskadës së lumit Drin, i cili do të mundësojë shfrytëzimin maksimal të prurjeve të Drinit të Zi.
Si ka qenë ecuria e KESH në vitin 2020, sa u ndikua nga situata e krijuar nga pandemia?
Në vitin 2020, Korporata u përball me një situatë të pafavorshme hidrike, si pasojë e një thatësire të tejzgjatur, e cila pati ndikim të ndjeshëm në nivelin vjetor të prodhimit të energjisë elektrike.
Për vitin 2020, sasia e energjisë elektrike (neto) të prodhuar nga KESH sh.a., rezultoi në sasinë rreth 3.09 TWh. Prodhimi i energjisë elektrike i realizuar nga KESH sh.a. përbën 58% të të gjithë prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë (~5,3 TWh) për periudhën referuese.
Të ardhurat e realizuara nga aktiviteti total operacional i shoqërisë për vitin 2020 arritën vlerën ~11.4 miliardë lekë.
Ndonëse për vitin 2020 pati ulje të lehtë të konsumit të energjisë në vend, KESH sh.a., arriti të administrojë rezervën energjetike në funksion të garantimit të furnizimit të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike, si dhe përmbushjes së detyrimit për shërbim publik me kosto sa më të ulët.
Për sa i përket situatës së pandemisë të shkaktuar nga COVID-19, do të shtonim se aktiviteti i shoqërisë KESH sh.a., nuk pati ndikim të madh nga situata e krijuar, për shkak edhe të vetë natyrës së aktivitetit, i cili bazohet në prodhimin e energjisë elektrike nga burimet hidrike.
Si ka qenë ecuria e kompanisë në pjesën e deritanishme të këtij viti?
Gjysma e parë e vitit 2021 u karakterizua nga kushte meteorologjike mjaft të favorshme për aktivitetin e KESH sh.a., të cilat u reflektuan në rritje të prodhimit nga HEC-et e Kaskadës së Drinit. Prodhimi i energjisë elektrike për periudhën e mësipërme rezulton të jetë në sasinë ~3,5 TWh, ose rreth 162% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020 (~1,3 TWh).
Të ardhurat totale operacionale të realizuara në pjesën e parë të vitit 2021, janë në vlerën ~11.8 miliardë lekë, ose 4.8 herë më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 (~2.4 miliardë lekë).
Sa janë borxhet e prapambetura që institucionet i detyrohen KESH dhe si po ecën plani për shlyerjen e tyre?
OST dhe OSHEE janë dy kompanitë që kanë detyrime të prapambetura për të shlyer ndaj KESH. Detyrimi total i akumuluar i OST në 30.06.2021, në të cilën 99% e zënë faturat për shërbimet e disbalancave dhe atyre për aktivizimin e rezervës për balancim, është në vlerën 5.72 miliardë lekë. Ndërkohë po diskutohet firmosja e një marrëveshje ndërmjet OST dhe KESH sh.a., për shlyerjen me këste të këtyre detyrimeve.
OSHEE Group i detyrohet KESh sh.a. në total 51.4 miliardë në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2021. Deri në fund të 2020-s, edhe KESH i detyrohej OSHEE rreth 8 miliardë lekë, si pasojë e detyrimit kontraktual për mosfurnizimin me energji në sasinë e përcaktuar në kontratë, prandaj në prill 2021 u firmos një marrëveshje mes palëve për shuarjen me kompensim të këtyre detyrimeve, duke e reduktuar totalin e detyrimeve me rreth 6 miliardë lekë.
Gjithashtu që në prill të vitit 2018, ndërmjet kompanive është firmosur një marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që OSHEE ka ndaj KESH sh.a., në këste vjetore, sipas një skeduli deri në likuidimin e plotë të tyre.
Janë bërë publike planet për ndërtimin e HEC-it të Skavicës. Nëse mund të jepni më shumë informacion, cili është projekti që do të zbatohet, kosto e tij, afatet e ndërtimit dhe çfarë do të sjellë ndërtimi i tij në sistemin energjetik në vend dhe ekonominë në tërësi?
Bazuar në parashikimet e ligjit Nr. 38/2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë ‘Bechtel International, inc.’, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”, mes shoqërisë KESH sh.a. dhe shoqërisë “Bechtel”, është lidhur kontrata e fazës së parë, e cila parashikon realizimin e:
a) matje topografike dhe studime hidrologjike në mbështetje të zhvillimit të projektimit;
b) studime dhe inspektime gjeoteknike në terren;
c) zhvillimi i strategjisë për realizimin e projektit;
ç) rishikimi dhe finalizimi i vlerësimit të ndikimit mjedisor e social;
d) përgatitja e projektit teknik, përfshirë përzgjedhjen e furnitorit të turbinave, me qëllim preventimin e kostove dhe të sasive;
dh) shërbime të tjera të rëna dakord për të mundësuar ecurinë e zhvillimit të projektimit të hidrocentralit të Skavicës.
Konkluzionet e kësaj faze, e cila parashikohet të mbyllet brenda vitit të ardhshëm, do të përcaktojnë edhe se cili projekt do të zbatohet, kostot e tij, si dhe afatet e ndërtimit, duke i hapur rrugë dhe fillimit të punimeve për HEC-in e Skavicës.
Sa u përket efekteve që do të sjellë ky projekt madhor, Skavica do të luajë rolin e rregullatorit për hidrocentralet e tjera në kaskadën e lumit Drin. Do të rrisë me 20% prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme në vend, si dhe do të rrisë kapacitetet prodhuese të të gjitha hidrocentraleve në kaskadën e Drinit.
Hidrocentrali i Skavicës është hidrocentrali i fundit i kaskadës së Drinit, i projektuar dhe i konceptuar që në fazat fillestare të studimit të kaskadës së lumit Drin, i cili do të mundësojë shfrytëzimin maksimal të prurjeve të Drinit të Zi. Skavica do të sjellë një optimizim më të mirë të kaskadës, duke rritur fuqinë gjeneruese të dy hidrocentraleve, të Fierzës dhe atij të Komanit.
Gjithashtu do të përmirësojë nivelin e jetesës së të gjitha zonave përreth rrjedhës së lumit Drin, të cilat përballen me përmbytjet prej shumë vitesh, kryesisht ato në Ultësirën Perëndimore. Do të mundësojë kontrollin e shkarkimeve pa prodhim gjatë periudhës së reshjeve me intensitet të lartë, si dhe do të zhvillojë ekonominë në atë zonë.
Një tjetër projekt është rehabilitimi i HEC-it të Fierzës. Si po ecën ky projekt dhe çfarë synohet?
Rehabilitimi i HEC-it të Fierzës do të bëhet i mundur nga një bashkëfinancim i Bankës Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim, KFW dhe kontributit të Bashkimit Europian nëpërmjet WBIF (Western Balkan Investment Framework). Tashmë është miratuar Marrëveshja Kuadër për Bashkëpunim me Gjermaninë dhe jemi në pritje të miratimit nga Qeveria Shqiptare dhe më pas nga Parlamenti, të Marrëveshjes së Financimit.
Marrëveshja ndërmjet KfW dhe WBIF është realizuar dhe kontributi i tyre i është bashkëngjitur financimit të KfW. Përveç Marrëveshjes së huasë, në masën 40 milionë euro, KfW do të japë në formën e Grandit një shumë prej 2.0 milionë eurosh, i cili do t’i bashkëngjitet financimit për rehabilitimin e HEC-it të Fierzës.
Financimi total do të synojë rehabilitimin e plotë Elektro-Mekanik të 4 turbinave në HEC-in e Fierzës, ndikimin social-mjedisor që do të sjellë ky rehabilitim, si dhe një studim mbi tregun e energjisë. Risi e këtij projekti do të jetë zbatimi i disa standardeve të reja rehabilituese, të cilat do të sjellin rritjen e eficencës së turbinave në HEC-in e Fierzës në masën 10%, pra një shtesë prej 50MW.
Projekti parashikohet të shtrihet në 7 vite zbatimi dhe pritshmëria për fillimin e proceseve rehabilituese është vjeshta e vitit 2022. Procedura për përzgjedhjen e konsulentit të zbatimit të projektit po udhëhiqet nga vetë KfW dhe është drejt finalizimit.
Fazat e inspektimeve të turbinave tashmë janë kryer nga Banka Botërore dhe konsulenti që do të përzgjidhet nga KfW do të fillojë menjëherë nga përgatitja e specifikimeve teknike, me qëllim finalizimin e tyre brenda qershorit të 2022. Më pas, do të ndiqet procedura e përzgjedhjes së kontraktorit të zbatimit, me qëllim finalizimin e saj në vjeshtë 2022.
Projekti i Bankës Botërore për sigurinë e digave ka disa vite që vazhdon. Si ka qenë ecuria e tij deri tani dhe a ka nevojë për financime shtesë për vijimin e projektit?
Projekti i Sigurisë së Digave është në fazën përmbyllëse dhe Banka Botërore, BERZH dhe SECO, si bashkëfinancues të tij, e kanë klasifikuar këtë proces si tepër të suksesshëm. Marrëveshja e Financimit përfundon në dhjetor 2021, por projekti mbyllet përfundimisht në tetor 2021, muaj në të cilin komisionohet porta e fundit e shkarkimit, ajo nr. 3 në HEC-in e Komanit. Tashmë janë rehabilituar plotësisht:
- Katër turbinat e HEC-it të Komanin dhe sistemi i ri i kontroll- monitorimit të tyre dhe janë në eficencë të plotë.
- Diga e Komanit, e rehabilituar plotësisht
- Sistemet monitoruese të Digës së Fierzës, Digës së Komanit dhe tre digave të Vaut të Dejës në eficencë të plotë
- Mbrojtja nga rënia e shkëmbinjve në HEC-in e Komanit dhe Fierzës, e përfunduar plotësisht
- Porta e Mirëmbajtjes nr. 3 në HEC-in e Fierzës, e përfunduar plotësisht
- Porta e Shkarkimit nr. 3 në HEC-in e Fierzës, e përfunduar plotësisht
- Porta e Mirëmbajtjes nr. 4 në HEC-in e Fierzës, e përfunduar plotësisht
- Porta e Shkarkimit nr. 4 në HEC-in e Fierzës, e përfunduar plotësisht
- Porta e Mirëmbajtjes nr. 3 në HEC-in Komanit, e përfunduar plotësisht
- Porta e Shkarkimit nr. 3 në HEC-in Komanit, në proces rehabilitimi
- Porta e Mirëmbajtjes nr. 4 në HEC-in Komanit, e përfunduar plotësisht
- Porta e Shkarkimit nr. 4 në HEC-in Komanit, e përfunduar plotësisht
Projekti nuk ka nevojë për financim shtesë, përkundrazi ka ende fonde të vlefshme të angazhuara.
Si e ndikon KESH krijimi i bursës së energjisë? Çfarë avantazhesh sjell për tregun e energjisë?
Bursa Shqiptare e Energjisë do të krijojë kushte të nevojshme për një ambient më transparent, jo diskriminues dhe konkurrues për pjesëmarrësit në tregun e energjisë elektrike. Padyshim që mbetet një nga prioritetet e MIE dhe Qeverisë Shqiptare, drejt liberalizimit të tregut të energjisë elektrike
Në veçanti, për KESH, kjo përbën një mundësi të shkëlqyer për të maksimizuar avantazhet konkurruese që ofron kaskada me rezervuarin e HEC-it të Fierzës, duke rritur ndjeshëm fleksibilitetin e KESH-it në tregun e balancimit, si dhe duke kryer administrim optimal të kapaciteteve dhe energjisë, specifikisht për gjenerues me portofol të diversifikuar (skemë hibride).
Ndryshimet klimatike e kanë vënë theksin në domosdoshmërinë e diversifikimit të burimeve të energjisë. Si po ecin projektet për ndërtimin e impianteve fotovoltaike? Nëse keni një vlerësim, në afatin e mesëm, sa për qind do të gjenerohet nga burime të tjera, përveç energjisë hidrike?
Ndryshimet klimatike janë një fenomen global, i cili, ndër të tjera, po ndikon edhe në aktivitetin e kompanive, të cilat operojnë në tregun e energjisë elektrike. Sot, të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimeve klimatike dhe parashikimet për të ardhmen nuk janë shumë optimiste.
Me kalimin e viteve, gjithmonë e më shumë do të kemi thatësira të tejzgjatura apo periudha të shkurtra, në të cilat intensiteti i reshjeve do të jetë shumë i lartë. Kjo situatë i ka orientuar kompanitë, të cilat menaxhojnë/operojnë asete gjeneruese të energjisë elektrike, veçanërisht ato hidrike, në dy drejtime kryesore: të investojnë në drejtim të rritjes së sigurisë së veprave hidrike dhe të investojnë në diversifikimin e portofolit të burimeve gjeneruese të energjisë elektrike.
Në të njëjtin proces, aktualisht është edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, e cila ka realizuar shumë investime për rritjen e sigurisë së veprave hidroteknike në të tre hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin, që ka nën administrim, dhe njëkohësisht ka nisur të zhvillojë edhe disa projekte për ngritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të saj.
Më konkretisht, projekti i parë është ndërtimi i impiantit fotovoltaik në digën e Qyrsaqit, në hidrocentralin e Vaut të Dejës, me fuqi të instaluar 5.1MWp. Projekti konsiston në ndërtimin e një impianti fotovoltaik, i cili do të instalohet në sipërfaqen e digës së Qyrsaqit në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Ky është i pari projekt që po zhvillohet në Shqipëri, duke instaluar impiante fotovoltaike në sipërfaqen e një dige hidrocentrali.
Aktualisht, për këtë projekt ka përfunduar faza studimore dhe janë përgatitur të gjitha dokumentacionet e nevojshme që lidhen me zbatimin e tij. Parashikohet që brenda vitit 2021, të fillojë faza e testimit të impiantit dhe më pas, vendosja në shfrytëzim. Energjia që do të prodhojë ky impiant, do të jetë afërsisht 6,900,000 kWh/vit.
Projekti i dytë është ndërtimi i impiantit fotovoltaik lundrues në rezervuarin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, me fuqi të instaluar 12.9MWp. Ky është projekti i parë për nga madhësia dhe teknologjia që do të përdoret, i cili do të zhvillohet në Shqipëri. Nëpërmjet këtij projekti do të hidhet një hap shumë i rëndësishëm në diversifikimin e burimeve gjeneruese të energjisë elektrike në Shqipëri.
Zhvillimi i projektit po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me BERZH, e cila ka shprehur gatishmërinë për financimin e tij, nëpërmjet një kredie tregtare. Kjo u konkretizua me nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet KESH sh.a. dhe BERZH. Në vijim të zhvillimit të projektit ka përfunduar faza studimore dhe aktualisht është duke u punuar për përgatitjen e dokumentacionit të tenderit për përzgjedhjen e subjektit, i cili do të ndërtojë këtë impiant. Parashikohet që prodhimi mesatar vjetor i këtij impianti do të jetë 18,500,000 kWh/vit.
Sigurisht që prodhimi vjetor i këtyre dy projekteve në raport me prodhimin vjetor të kaskadës së lumit Drin janë në raporte të pakrahasueshme, por mund t’i konsiderojmë si një fillim i mbarë në procesin e diversifikimit të portofolit të prodhimit të energjisë elektrike të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare nga burimet e rinovueshme të saj.
Mbi të gjitha, këto dy projekte do të shërbejnë për fitimin e përvojës në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare për operimin dhe mirëmbajtjen e impianteve të tilla, e cila do të shërbejë në të ardhmen për të ndërmarrë të tjera investime të ngjashme.
Çfarë planesh keni për riaktivizimin e TEC-it të Vlorës? Pse ka më shumë leverdi që të vijë gazi nga SHBA, sesa të përdoret gazi nga gazsjellësi TAP, që kalon në territorin e vendit?
Për shkak të investimeve të konsiderueshme të Qeverisë Shqiptare në këtë aset gjenerues të energjisë elektrike, rivënia në funksionim e TEC-it të Vlorës është ndër përparësitë kryesore të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Në kushtet aktuale, kur çmimet e energjisë elektrike në rajon kanë shënuar rritje të konsiderueshme, përdorimi i këtij aseti rrit kapacitetet gjeneruese të KESH-it, duke i mundësuar korporatës përmbushjen e detyrimit për furnizimin e konsumatorëve tariforë edhe në profile kur energjia është me çmim të lartë.
Aktualisht, ky aset kërkon investime në impiantin e ftohjes dhe të furnizimit me gaz. Për këtë qëllim, Korporata është në negociata me kompanitë “Excelerate Energy L.P” dhe “Snam S.p.A.”, me të cilat shteti shqiptar ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për të eksploruar bashkëpunimin potencial për ndërtimin e një gazsjellësi nga Terminali i Vlorës në drejtim të infrastrukturave të tjera të mundshme të gazit natyror në Shqipëri, pjesë e të cilit do të jetë dhe rivënia në funksion e TEC-it të Vlorës.
Nga vlerësimet e deritanishme të ekspertëve të kompanisë amerikane, rezulton se gjendja e konservimit të TEC-it të Vlorës është optimale, gjë që rrit mundësinë e shfrytëzimit afatgjatë të kësaj vepre.
Leave feedback about this