Studentët e viteve të fundit të Politeknikut priren të emigrojnë më shumë se ata që janë në fillim të studimeve
Aktualitet

Studentët e viteve të fundit të Politeknikut priren të emigrojnë më shumë se ata që janë në fillim të studimeve

Vit pas viti, fenomeni i emigracionit po merr përmasa alarmante, duke përfshirë segmente të shoqërisë me aftësi si studentët e Universitetit Politeknik.

Universiteti Politeknik i Tiranës organizoi Panairin e Tretë të Punës pranë godinës qendrore, ku morën pjesë më shumë se 50 biznese.

Shumë prej studentëve plotësuan formularët përkatës pranë kompanive, për t’iu nënshtruar më pas intervistave për punë dhe pse jo për t’u punësuar.

Studentët pohojnë se pritshmëritë për panairin u përmbushën disi, pasi kompanitë ishin të gatshme të ofronin mundësi punësimi ose praktika me dhe pa pagesë.

Edhe pse ofertat për studentët e këtij universiteti janë të larta, ata thonë se ende nuk janë të duhurat. Paga dhe mungesa e vizionit nga tregu i punës në Shqipëri janë faktorët kryesorë që i çojnë drejt emigrimit.

Nga 55 studentë të pyetur në panair, vetëm 7 prej tyre donin të qëndronin në Shqipëri pas përfundimit të studimeve. Kjo është një shifër alarmante për vendin tonë, i cili po vuan mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar për të cilën këto biznese kanë shumë nevojë.

Ajo çfarë është më shqetësuese është se shpresa për këta studentë shuhet vit pas viti, 7 studentët që thanë se duan të qëndrojnë në vend janë në vitin e parë ose të dytë, ndërsa pjesa tjetër janë në vitet e fundit të studimeve master ose në vit të tretë në bachelor.

Admir Muçaj, student në vitin e dytë master, thotë se në momentin që do të marrë një ofertë të mirë nga jashtë, do të largohet.

“Dëshiroj shumë të qëndroj në vendin tim dhe pres një mundësi pune këtu, është hera e dytë në panair dhe deri më tani nuk kam gjetur një punë që më përshtatet. Jam i sigurt që tregu europian më ofron mundësi, pagë dhe mjedis më të mirë se këtu, ndaj pasi të mbaroj studimet, dua të largohem”.

Studentë të tjerë të vitit të tretë të inxhinierisë elektrike shprehen se pagesat që ofron tregu janë të barabarta me një punë në një call center, që nuk kërkon ndonjë specializim. Ata pohojnë gjithashtu se një punë praktike është shumë e nevojshme dhe e rëndësishme, pasi praktikat e studimit në universitetet publike në vend nuk janë shumë koherente me tregun.

Prandaj, panairet e punës janë shumë të rëndësishme që ata të gjejnë mundësinë dhe përvojën e duhur për t’i përgatitur për tregun e huaj.

Mërgim Byberi, nga Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme, thotë se kompanive në vend u mungon vizioni, oferta e duhur për të mbajtur fuqinë punëtore të kualifikuar në Shqipëri.

“Çdo vit e më shumë po shohim që studentët kërkojnë të largohen, studentë të ekselencës që janë të aftë dhe të përgatitur më së miri për tregun shqiptar të punës, sepse u mungon oferta. Kur them oferta, nuk them, se nuk ka punë, ka, por jo me ofertat e duhura. Kompanitë në vendin tonë nuk kanë vizion, nuk ofrojnë sigurinë e duhur dhe më e rëndësishmja, pagën që meriton specializimi i këtyre studentëve. Fenomeni është më shqetësues pasi vetëm studentët në vitet e para duan të qëndrojnë në vend, shpresa që studentëve të viteve të fundit duket se u është zbehur pak nga pak pas çdo sezoni.

Eljona Milla, studente në vitin e parë të arkitekturës, thotë se nuk dëshiron të largohet, pasi beson se tregu vendas do t’i plotësojë kërkesat e saj.
“E di që një pjesë e madhe e shoqërisë sime dëshiron të largohet. Megjithatë mendoj se këtu në Shqipëri ka ende mundësi të mira punësimi, nuk dua të largohem në të ardhmen, por kjo do të varet shumë edhe nga studimet dhe specializimet që do të bëj. Mendoj se jam në rrugën e duhur dhe se ky panair më ka ndihmuar të zgjedh disa opsione për të ardhmen”.

Por ka edhe histori suksesi që tregojnë më së miri se sa e rëndësishme është të gjesh mundësinë e duhur.

Mine Bushi, ish-studente në Universitetin Politeknik, thotë se ka arritur të gjejë mundësinë e duhur për të qëndruar në vend dhe nuk do të donte të largohej. Ajo shprehet se pikërisht ky panair një vit më parë e ka ndihmuar atë.

“Vitin e kaluar, aplikova për një praktikë mësimore në DPSHTRR, pas përfundimit më ofruan një punë që plotësonte kriteret e mia, një mjedis pune profesional dhe më e rëndësishmja, vlerësimin e duhur për punën time si në aspektin monetar, edhe profesional. Edhe nëse më jepet një mundësi më e mirë punësimi nga jashtë, nuk do ta pranoja sepse mendoj se mund të bëj shumë më tepër për vendin tim në Shqipëri”.

Kompanitë pjesëmarrëse në panair thonë se aktivitete të tilla janë të rëndësishme si për to, edhe për studentët për të bërë lidhjen e duhur ndërmjet kërkesës dhe ofertës së tregut, por sipas tyre duhet më shumë inkurajim nga pedagogët për t’i afruar studentët.

Anisa Hysa, drejtoreshë e burimeve njerëzore në Orion Construction, shprehet se pjesëmarrja e studentëve në këto panaire është më e paktë sesa ata prisnin.

“Është hera e dytë në Panairin e Punës që organizon Universiteti Politeknik dhe presim më shumë studentë. Kompania jonë ofron punësim dhe praktika që paguhen dhe sërish nuk kemi një numër të madh aplikimesh. Kjo sepse vetë studentët nuk nxiten nga pedagogët. Ne kemi një histori suksesi me internship ku 8 prej tyre janë të punësuar në Orion sh.p.k. sot”- u shpreh ajo.

Të njëjtën gjë pohoi edhe Mira Bita nga Albchrome, pjesë e grupit Yildirim prej më shumë se dy vitesh.

“Albchrome ofron punësime dhe praktika të ndryshme për studentët e Politeknikut, kryesisht për inxhinierë minierash. Vitin e kaluar kemi pasur disa histori suksesi me aplikimet e panairit dhe menduam që të merrnim pjesë edhe këtë vit. Shohim që ka të interesuar, por jo të shumtë në numër. Mendoj se studentët duhet të nxiten më shumë për panairet e punës” – tha Bita .

Robert Kodra, specialist komunikimi në Universitetin e Politeknikut shprehet që kërkesa e lartë e të rinjve për të emigruar po bie pak e nga pak çdo vit dhe se panaire të tilla ndihmojnë në këtë rënie.

“Ne kemi bashkëpunim me më shumë se 100 kompani ku universiteti shërben si urë lidhëse midis tyre dhe studentëve. Është e vërtetë që ka një kërkesë të lartë të studentëve që të largohen jashtë, pas përfundimit të studimeve. Megjithatë kjo kërkesë po bie pak e nga pak, pasi kompanitë janë duke u përshtatur me atë çfarë ata kërkojnë.

Universiteti ynë ka marrëveshje ndërkombëtarizmi me 70 universitete prestigjioze brenda dhe jashtë Europës, ku shkëmbejmë staf apo studentë për të marrë specializimin e duhur dhe për t’u kthyer për të dhënë kontributin e tyre në Shqipëri.

Kontributi i ndihmon si nga ana shkencore por edhe tregun e punës në vend”.

Ky ishte Panairi i tretë i Punës i zhvilluar nga Universiteti Politeknik i Tiranës. Qëllimi i panairit është të krijojë një urë lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës, duke ofruar mundësi internshipi dhe punësimi pranë kompanive potenciale në treg nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër t’u ofrojë kompanive një mundësi të gjerë për zgjedhje dhe rekrutim.

Në aktivitet ishin të pranishëm mbi 50 kompani kombëtare dhe ndërkombëtare me profile të fushave inxhinierike dhe arkitekturë, me të cilat UPT bashkëpunon./AT Monitor.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X