“Tregu i sigurimeve është i konsoliduar, duhet të punojmë më shumë për sigurimet vullnetare”.Intervistë me Klaidi Çitozi, Kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë
Aktualitet

“Tregu i sigurimeve është i konsoliduar, duhet të punojmë më shumë për sigurimet vullnetare”.Intervistë me Klaidi Çitozi, Kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë

Tregu i sigurimeve është konsoliduar dhe maturuar gjatë periudhës sfiduese që përfshiu tërmetet, pandeminë dhe inflacionin e lartë.

Kryetari i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, Klaidi Çitozi, thotë në një intervistë për “Monitor” se, duke parë nga e ardhmja, kompanitë e sigurimit duhet të punojnë për të ndryshuar strukturën e primeve, e cila deri tani mbizotërohet nga sigurimet e detyrueshme.

Z. Çitozi shton se tregu ka nevojë për një fokus edhe më të madh në dixhitalizimin e shërbimeve, për të qenë pranë klientëve në kohë reale.

Ai nënvizon se ndryshimet klimatike dhe efektet negative, veçanërisht në sektorin bujqësor, e bëjnë të domosdoshme nevojën e një skeme kombëtare sigurimi, në mënyrë që të diversifikohet sa më mirë rreziku.

Sipas tij, ka ardhur koha për diskutime serioze me të gjithë aktorët për këtë çështje, duke qenë se këto sigurime mbrojnë operatorët nga ngjarje të paparashikuara dhe garantojnë vazhdimësinë e biznesit.

Si e vlerësoni ecurinë e tregut të sigurimeve në vitin 2023 dhe cilat ishin zhvillimet kryesore në këndvështrimin tuaj?

Duket se sfidat që prekin tregun e sigurimeve nuk kanë të sosur dhe pas tërmeteve të vitit 2019 dhe pandemisë, ekonomia këtë vit u ndikua nga inflacioni i lartë dhe kursi i këmbimit i paqëndrueshëm.

Pavarësisht efekteve negative në ekonomi, kompanitë e sigurimeve i përballuan më së miri pasojat, duke mos rritur primet e sigurimit.

Situata u menaxhua, duke ulur edhe këtë vit shpenzimet në përgjithësi dhe kostot e marrjes në sigurim në veçanti.

Shifrat që ia vlen të përmenden për vitin që sapo lamë pas janë rritja e primit të shkruar me 10% dhe rritja e numrit të kontratave me 11.5%.

Pagesat e dëmeve ishin 8% më shumë dhe një faktor që ka ndikuar në këtë rritje është mirëfunksionimi i REA (Raporti Europian i Aksidenteve). Vlera e dëmeve pezull është ulur në mënyrë të ndjeshme me 11%, si dhe u përmirësuan pagesat dhe koha e trajtimit të dëmeve të Fondit të Kompensimit.

Të gjitha këto statistika janë tregues i rritjes së besimit të individëve dhe bizneseve te kompanitë e sigurimit.

Kjo shihet qartë edhe te rritja e sigurimeve KASKO me 19% dhe sigurimit të pronës me 17%. Ne besojmë që tashmë, kompanitë e sigurimit konsiderohen si partner i rëndësishëm në një biznes serioz dhe të suksesshëm.

Një arritje e rëndësishme gjatë këtij viti ishte dhe raporti nga Komiteti Ekzekutiv i Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime, i cili e vlerësoi tregun e sigurimeve në Shqipëri me një nivel të lartë përputhshmërie me parimet themelore në Sigurime.

Çfarë efektesh ka pasur deri tani në tregun e sigurimeve rritja e turizmit dhe e sektorëve ekonomikë të lidhur me të?

Çdo rritje në ekonominë e vendit, sigurisht ndikon pozitivisht edhe në tregun e sigurimeve. Industritë që u zhvilluan dhe do të zhvillohen me hapa të shpejtë në vendin tonë janë turizmi dhe bujqësia.

Kompanitë e sigurimit duhet të punojnë më fort dhe të gjejnë zgjidhjet e duhura që të lehtësojnë dhe mbështesin këto asete kombëtare.

Sipas përvojës botërore lind nevoja për sigurimin e njësive akomoduese jo vetëm nga zjarri dhe katastrofat e tjera, por edhe për përgjegjësinë që mund të kenë këto njësi ndaj turistëve.

Ndryshimet klimatike dhe efektet negative, veçanërisht në sektorin bujqësor, e bëjnë të domosdoshme nevojën e një skeme kombëtare sigurimi, në mënyrë që të diversifikohet sa më mirë rreziku.

Mendoj se ka ardhur koha të hyjmë në diskutime serioze me të gjithë aktorët për këtë çështje, pasi këto sigurime mbrojnë operatorët nga ngjarje të paparashikuara dhe garantojnë vazhdimësinë e biznesit.

Cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore për ecurinë e tregut të sigurimeve në vitin 2024 dhe cilat besoni se do të jenë sfidat kryesore?

Aktualisht, tregu i sigurimeve është i mirëkapitalizuar dhe financat e kompanive janë të stabilizuara.

Burimet njerëzore janë të mirëtrajnuara dhe të afta për të ofruar shërbime të cilësisë së lartë, si dhe për të përballuar sfidat e reja që kemi përpara.

Pas gjithë atyre sfidave, kompanitë treguan që janë të konsoliduara dhe të maturuara mjaftueshëm për të kaluar në një stad tjetër, i cili është mjaft i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Ekonomia e Shqipërisë po shënon rritje dita-ditës dhe ne si sigurues duhet të jemi aty për të mbështetur biznesin dhe për ta mbrojtur këtë rritje nga rreziqet e ndryshme, të cilat po bëhen më komplekse.

Lind nevoja që bashkërisht, jo vetëm si treg, por edhe në bashkëpunim me AMF, të bëjmë më shumë për sa i përket ndërgjegjësimit të bizneseve, individëve, si dhe institucioneve shtetërore për nevojën e sigurimit në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Të gjithë aktorët në këtë industri duhet të ndërgjegjësohen që ne jemi mbështetës realë të ekonomisë dhe produktet tona duhet të shihen si zgjidhje për vazhdimësinë normale të jetës dhe biznesit.

Kompanitë e sigurimit duhet të punojnë fort për të ndryshuar strukturën e primeve, e cila deri tani mbizotërohet nga sigurimet e detyrueshme.

Gjithashtu, në kuadër të nevojës për implementimin e IFRS 17, në gusht të këtij viti, u miratua rregullorja mbi raportimin e shoqërive të sigurimit për zbatimin e këtij standardi, i cili rregullon dhe përcakton raportimet e shoqërive të sigurimit.

Viti 2024 do të jetë i fokusuar në përgatitjen e shoqërive të sigurimit për t’iu përshtatur këtij standardi, duke qenë se është një proces i cili kërkon sisteme dhe burime njerëzore të specializuara.

Me këtë rast, i duhet dhënë më shumë theks dhe dixhitalizimit të shërbimeve tona, duke mundësuar kështu të qenët pranë klientit në kohë reale.

Tregu i sigurimeve, vit pas viti, shënon zhvillime të rëndësishme dhe gjithnjë e më tepër po tregon se i përmbush më së miri detyrimet e tij. Gjithsesi, pozitat e tij në PBB e vendit nuk janë ato që duhet të ishin, ndaj lind nevoja për një forcim të këtij tregu edhe më tepër.

Zhvillimi i tij nuk është vetëm në të mirë të kompanive të sigurimit, por ka interes më të gjerë publik, pasi çdo investim apo biznes duhet mbrojtur, dhe kjo është detyra jonë parësore.Monitor.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X