Tregu i sigurimeve, fitim rekord prej 14.3 milionë eurosh në 2022
Sigurime të Detyrueshme

Tregu i sigurimeve, fitim rekord prej 14.3 milionë eurosh në 2022

Tregu i sigurimeve arriti fitime rekord në vitin 2022. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), rezultati financiar neto i tregut arriti vlerën e 1.63 miliardë lekëve ose 14.3 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, fitimi i siguruesve shqiptarë është rritur me 171%.

Kontributin kryesor në rritjen e fitimeve e dha segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimit të Jo-Jetës. Statistikat tregojnë se kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës raportuan fitim neto në vlerën e 1.44 miliardë lekëve ose 12.6 milionë eurove (me kursin e ditës së fundit të vitit 2022).

Fitimi i tregut të Jo-Jetës u rrit me 207% krahasuar me vitin 2021. Rritja e fitimeve u ndikua pozitivisht nga dyfishimi i rezultatit teknik (rezultati i lidhur me aktivitetin sigurues), por edhe nga rritja e rezultatit neto nga investimet.

Përmirësimi i rezultatit teknik erdhi në radhë të parë nga rritja e primeve të fituara neto nga siguruesit, që arritën në 15.36 miliardë lekë, në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë.

Edhe dëmet neto të paguara nga shoqëritë e sigurimit vitin e kaluar shënuan rritje, me 15.3% krahasuar me një vit më parë. Raporti i dëmeve neto (pa përfshirë pagesën e dëmeve nga risiguruesit) në raport me primet e fituara neto vitin e kaluar u rrit në 36.26%, nga 34.92% që kishte qenë një vit më parë.

Por, një ndikim të rëndësishëm në rritjen e fitimeve të siguruesve duket se ka pasur frenimi i shpenzimeve të veprimtarisë, që rezultuan në nivele të përafërta me vitin 2021. Efekt të konsiderueshëm në këtë drejtim duket të ketë pasur hyrja në fuqi e rregullores së AMF, që vendosi një tavan në komisionet e ndërmjetësimit për shitjen e produkteve të sigurimit të detyrueshëm motorik.

Raporti i shpenzimeve, që përfaqëson raportin midis shpenzimeve operative neto dhe shpenzimeve të tjera neto për sigurimet, kundrejt primeve të fituara neto, vitin e kaluar ra në 43.78%, nga 47.22% që kishte qenë një vit më parë.

Edhe kompanitë e sigurimit të Jetës arritën rritje të ndjeshme të fitimit neto, në shumën e 187 milionë lekëve, 43% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndikimin kryesor e dha rritja e rezultatit teknik me pothuajse 67% krahasuar me një vit më parë, ndërsa rezultati nga investimet dha një ndikim negativ, duke e reduktuar disi shkallën e rritjes së rezultatit financiar neto.

Rritja e rezultati teknik dhe e fitimit të tregut të Jetës erdhi nga rritja e primeve të fituara nga neto dhe paralelisht edhe nga ulja e shpenzimeve për dëme. Në vitin 2021, kompanitë e sigurimit të Jetës u përballën me një rritje të shpenzimeve për dëme, kryesisht për shkak të pasojave të pandemisë. Vitin e kaluar, ky efekt duket se u tejkalua, duke ndikuar në uljen e shpenzimeve për dëme dhe në rritjen e fitimeve të tregut të Jetës.

Ndërkohë, shpenzimet operative të kompanive vijuan të rriteshin edhe vitin e kaluar, kryesisht në segmentin e shpenzimeve të marrjes në sigurim. Kompanitë e sigurimit të jetës vazhdojnë të kenë komisione të larta shitjeje, element që ka një ndikim të rëndësishëm në strukturën e shpenzimeve të tyre. Për shoqëritë e sigurimit të Jetës, raporti i shpenzimeve neto u rrit më tej në 56.94%, nga 55.84% që kishte qenë një vit më parë./E.Shehu

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X