Një numër i lartë i përfituesve të bonusit të bebeve me vlerë nga 40 mijë lekë deri në 120 mijë lekë vijojnë të jenë të posalindurit jashtë Shqipërisë.
Për muajt janar-prill 2023 bonusi i bebeve sipas të dhënave të raportit të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë u përfitua nga 12,123 të porsalindur, me një rënie prej 4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pavarësisht rënies së numrit të përfituesve të bonusit të bebeve, pjesa dërrmuese e tyre shkon për të lindurit jashtë vendit.
Për muajt janar-qershor sipas të dhënave të INSTAT numri i lindjeve ishte 10,283 në 2023. Ndërsa për të njëjtën periudhë të 2022 numri i lindjeve ishte 11,791 bebe.
Bazuar në mesataren mujore të lindshmërisë dhe të përfituesve të bonusit, rreth 43% e bebeve që përfituan shpërblimin kanë lindur jashtë.
Bonusi i bebes është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 që mbështet familjet nëpërmjet dhënies direkte të çekut me vlerën e 40 mijë lekëve për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë. Bonusi përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, edhe nëse foshnja ka lindur jashtë shtetit, në formën e çekut që tërhiqet nga nëna.
Në total në 4 vjet për periudhën 2019-2022 nga nisja e programit mbështetës për dhënien e bonusit të bebeve, sipas të dhënave të raporteve të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë është shpenzuar nga buxheti i shtetit fondi me vlerë 11,5 miliardë lekë apo rreth 112 milionë euro.
Totali i bebeve përfituese sipas të dhënave të Monitorimit të Ministrisë së shëndetësisë është për 161,943 të porsalindur. Nisur nga numri i lindjeve për vitet 2019-2022 sipas të dhënave të INSTAT është 108,535 lindje, çka rezulton se 33% apo 53,408 bebe përfituese të bonusit jetojnë jashtë.
Për shkak të numrit të lartë të bebeve përfituese jashtë Shqipërisë në muajin maj Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale hartoi projektligjin “Për një shtesë dhe një ndryshim në Ligjin Nr. 57/2019 “Për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë”, ku pika 1 e nenit 9 të ligjit përjashton nga përfitimi i këtij bonusi personat që nuk janë rezidentë në Shqipëri./Monitor
Leave feedback about this