Flet Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër e Financave, tani konsulent i pavarur
Burimet e rritjes ekonomike aktualisht janë sektorë me ndikim afatshkurtër, për shkak të limiteve natyrore të zhvillimit dhe rritjes së tyre, si dhe të efektit “one-time” ose “vetëm një herë” që ka sektori i ndërtimit të banesave në rritjen ekonomike.
Ndërtimi i banesave nuk kontribuon në rritjen afatgjatë ekonomike dhe të produktivitetit siç ndodh me investimet në infrastrukturë, industri, bujqësi, etj., dhe në kushtet e Shqipërisë, investimet e këtij sektori financohen dukshëm nga burime informale, thotë Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër e Financave, tani konsulent i pavarur.
Në vlerësimin tuaj, si ka qenë ecuria ekonomike e vendit në vitin 2023 edhe në kuptimin e shpërndarjes së drejtë të rritjes?
Rritja ekonomike në fund të vitit 2023 pritet që të jetë 3.6%. Kjo është më e lartë se parashikimet fillestare prej 2.6 dhe 2.2% përkatësisht të Qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Ky ndryshim në rritje është rezultat i vlerësimit të lartë fillestar të rreziqeve nga zhvillimet dhe pritshmëritë për ekonominë globale dhe veçanërisht atë të Bashkimit Europian. Por, ndikim ka pasur edhe rritja tej parashikimeve e sektorëve të ndërtimit, pasurive të patundshme, shërbimeve dhe sidomos turizmit.
Analiza e rritjes ekonomike në 2023 tregon se Shqipëria pas rritjes së dukshme prej 8.3% në 2021, që pasoi rënien ekonomike gjatë Covid-19 vazhdon në një trajektore rënie, me rritje 4.8% në 2022 dhe 3.6% në 2023.
Kjo rënie e largon më shumë Shqipërinë nga arritja e objektivit të mijëvjeçarit për një rritje ekonomike prej 7%, e cila mundëson rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë në vendet në zhvillim.
Rritja ekonomike prej 3.6% është relativisht e ulët për një vend në zhvillim dhe baza e kësaj rritje prej më shumë se 2 vitesh janë ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme. Këta dy sektorë në vitet 2021 dhe 2022 patën rritjen më të madhe, përkatësisht sektori i ndërtimit 18 dhe 10.7% dhe i pasurive të patundshme, 5.8 dhe 11.2%.
Edhe në 2023, ato vazhdojnë të jenë burimet kryesore të rritjes ekonomike, pasi të dhënat e deritanishme tregojnë se rritja e tyre është më e larta përkatësisht 14,61 dhe 11,72%.
Në tremujorin e dytë pati rritje të lartë edhe turizmi, por vlerësimi i kontributit të tij bazohet më shumë në tregues potencialë siç është numri i personave që kanë hyrë në Shqipëri, se sa realë, siç është numri i netëve të qëndrimit.
Këto të fundit janë 3 herë më të ulëta se sa numri i vizitorëve dhe nga ana tjetër, treguesi i konsumit të popullatës mbetet i dobët, me një rritje vetëm me 4.03% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, pavarësisht raportimit të rritjes së ndjeshme të numrit të turistëve.
Rritja ekonomike e vitit 2023 u ndikua edhe nga rritja e konsumit të qeverisë me 9% në 6-mujorin e parë, që lidhet edhe me zgjedhjet lokale, ndërsa dy sektorët më të rëndësishëm ekonomikë, bujqësia dhe industria, në 6-mujorin e parë patën rënie përkatësisht – 0,04 dhe – 2,37%.
Burimet e rritjes ekonomike janë sektorë me ndikim afatshkurtër për shkak të limiteve natyrore të zhvillimit dhe rritjes së tyre, si dhe të efektit “one-time” ose “vetëm një herë” që ka sektori i ndërtimit të banesave në rritjen ekonomike.
Ndërtimi i banesave nuk kontribuon në rritjen afatgjatë ekonomike dhe të produktivitetit siç ndodh me investimet në infrastrukturë, industri, bujqësi, etj., dhe në kushtet e Shqipërisë, investimet e këtij sektori financohen dukshëm nga burime informale.
Faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër, që e bëjnë rritjen ekonomike të dobët, janë ulja e kapaciteteve prodhuese dhe konkurrueshmërisë, që pasqyrohen në uljen e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve me 1.48%, sipas të dhënave për 6-mujorin e parë 2023.
Gjatë vitit 2023 është vënë re ristrukturim i ekonomisë nga tkurrja e prodhimit drejt tregtisë, si rrjedhojë e forcimit të Lekut. A është ky hap pozitiv dhe një premisë për një model të ri rritje?
Në ekonomitë e tregut të lirë, kapitalet lëvizin ose shtohen te sektorët më fitimprurës dhe me rreziqe të vogla, si dhe në sektorët e mbështetur me favore ekonomike, buxhetore dhe tatimore, që jepen në kuadrin e ristrukturimit apo krijimit të një modeli të ri ekonomik.
Ndërsa lëvizja e kapitaleve nga sektori i prodhimit në atë të tregtisë në 2023 nuk është e natyrshme, por e nxitur nga vlerësimi tej parashikimeve i Lekut. Ky fenomen ka dëmtuar rëndë investuesit e huaj dhe eksportet në përgjithësi.
Këto u përkasin në shumicë sektorëve prodhues, si industria përfshirë fasonët, bujqësia, turizmi, etj., dhe dhomat e tregtisë të eksportuesve dhe prodhuesve shqiptarë kanë dhënë alarmin për falimentime të bizneseve të tyre.
Vlerësimi i pabazuar i Lekut dhe dominimi në rritjen ekonomike i burimeve afatshkurtra me bazë informale kanë bërë që lëvizja e kapitaleve të orientohet drejt investimeve në sektorët që mundësojnë kthimin e shpejtë të investimeve, me një normë të lartë fitimi.
Prandaj, investimet në sektorët e industrisë dhe bujqësisë janë ulur dhe matematikisht janë rritur tregtia dhe shërbimet. Në këtë situatë nuk mund të bëhet fjalë për premisa të një modeli të ri rritje, por për ndryshime strukturore negative të imponuara nga tregu jofunksional.
Për më tepër, këto ndryshime e deformojnë modelin e rritjes ekonomike të qëndrueshme, sepse një ekonomi e bazuar te tregtia dhe shërbimet është një model mbijetese. Modelet e zhvillimit të qëndrueshëm bazohen tek investimet prodhuese dhe përpunuese dhe krijimi i tyre varet mbështetja politike dhe buxhetore dhe partneriteti i Qeverisë me biznesin.
Cilat konsideroni ju premisat dhe bazat themelore për rritjen ekonomike për vitin 2024?
Rritja ekonomike e vitit 2024 pritet të jetë më e ulët krahasuar me vitin 2023, sepse mungojnë modeli dhe politikat mbështetëse për një rritje më të madhe dhe të qëndrueshme.
Nuk ka ndonjë pritshmëri për ndryshime të dukshme të faktorëve të rritjes ekonomike, sepse sjellja e Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë ndaj vlerësimit të Lekut dhe lidhjes së tij me informalitetin kontribuon në vazhdimësinë dhe përkeqësimin e rreziqeve të vitit 2023.
Edhe në vitin 2024, baza e rritjes ekonomike do të jetë ndërtimi, i cili u rrit edhe gjatë pandemisë COVID-19 dhe mbështetet me paratë jashtë sistemit bankar, të cilat vlerësohet të jenë rreth 3.4 miliardë euro, ose 20% e PBB-së.
Njëkohësisht ky sektor tërheq më shumë financimet informale dhe prej vitesh është i vetmi që ka marrë mbështetje nga qeveria.
Në 5 vitet e fundit, lejet e dhëna e kanë rritur 3 herë sipërfaqen për ndërtime banesash dhe kjo sipërfaqe në vitin 2022 arriti në 2 milionë e 667 mijë metra katrorë dhe vazhdon të rritet edhe në vitin 2023.
Zhvillimi i këtij sektori thellon edhe pabarazinë territoriale, pasi 76% e të gjithë sipërfaqes së lejeve të ndërtimit për banesa është në Tiranë. Kontributi i sektorëve të tjerë pritet të jetë minimal, pasi sektorët kyç të ekonomisë, industria dhe bujqësia, mund ta mbyllin vitin 2023 me rënie.
Cilat janë shanset dhe rreziqet që do të na shoqërojnë në vitin 2024?
Edhe në vitin 2024, rritja e ekonomisë shqiptare do të vazhdojë trajektoren në rënie. FMN parashikon që rritja ekonomike në 2024 do të jetë 3.3% ose 0.3% më e ulët se në vitin 2023.
Ky trend parashikohet të vazhdojë për një periudhë afatmesme, pasi parashikimi për rritjen ekonomike në 2028 është 3.5%. Shanset që do të na shoqërojnë në 2024 janë vetëm ndërtimi i banesave, ndërsa rreziqet e brendshme dhe të jashtme pritet të jenë në rritje.
Rritja në 2024 ndikohet edhe nga ngadalësimi i ekonomive të partnerëve ekonomikë të Shqipërisë. Por, rreziqet më të mëdha vijnë nga faktorët e brendshëm ku dominojnë politikat ekonomike dhe fiskale klienteliste, si dhe niveli i lartë i korrupsionit dhe informalitetit.
Shqipëria vazhdon të mbetet vendi i fundit në rajon për thithjen e investimeve të huaja dhe institucionet ndërkombëtare nënvizojnë mungesën e një klime të përshtatshme për rritjen e investimeve të brendshme dhe të huaja.
Edhe burimet e rritjes ekonomike dhe lëvizja e kapitaleve drejt tregtisë dhe shërbimeve në vitin 2023 tregojnë se nuk priten reforma strukturore, të cilat mund të krijojnë një model të rritjes ekonomike të qëndrueshme në vitin 2024.
Ndërkohë vlerësimi i pabazuar i Lekut vazhdon dhe viti 2024 do të ketë konsum të ulët dhe inflacion të lartë, të cilët ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike.
Rreziqe për rritjen ekonomike në 2024 do të krijohen edhe nga keqqeverisja dhe administrimi i dobët fiskal. Investimet publike vijojnë të dominohen nga PPP-të dhe pagesat e tyre tashmë janë shlyerje borxhi për punë të bëra në vitet e mëparshme dhe nuk pritet që të japin efekte në rritjen ekonomike.
Pesha e investimeve publike në buxhetin 2024 është në nivelin më të ulët historik dhe menaxhimi investimeve publike në përgjithësi ka qenë i dobët. Ashtu si deri më sot, edhe në 2024, do të ketë investime publike për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.
Vitin e fundit janë bërë shqetësuese edhe politikat nacionalizuese në disa sektorë të ekonomisë. Sot, ekzistojnë disa ndërmarrje shtetërore si ajo e Sigurisë, Investimeve (KShI) dhe të tjera, të cilat kanë angazhuar fondet publike dhe nxjerrë nga tregu operatorët privatë.
Edhe FMN ka paralajmëruar që në fillim se ndërmarrjet shtetërore si KShI kërkojnë “… injektime kapitali nga buxheti …” dhe krijojnë “…rreziqe të reja fiskale”.
Çfarë këshillash keni për politikëbërjen, sidomos në drejtim të krijimit të një mjedisi më të mirë për kapitalin njerëzor?
Përkeqësimi i rritjes ekonomike dhe parashikimet e saj në nivele të ulëta për një periudhë afatmesme tregojnë qartë nevojën e reformave të thella strukturore dhe të një modeli ekonomik të përshtatshëm për Shqipërinë.
Sfida më e madhe për nxitjen e rritjes ekonomike është tërheqja e investimeve të huaja dhe ndalimi i braktisjes së vendit (emigrimit). Kjo do të mundësonte rritjen e investimeve private në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve, tërheqjen e investitorëve të huaj të mëdhenj dhe rritjen e konkurrencës rajonale që është domosdoshmëri për një vend të vogël si Shqipëria.
Një tjetër sfidë është lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal dhe sidomos përqendrimi i investimeve në sektorin e ndërtimit dhe të PPP-ve të financuara kryesisht nga paratë informale. PPP-të kanë arritur në 50% të PBB, kundrejt 33% që ishin në 2018 dhe në pjesën më të madhe, ato financohen ose garantohen nga buxheti i shtetit.
Ato kanë bllokuar buxhetin e investimeve publike për 10-15 vitet e ardhshme dhe për këtë arsye, FMN thekson se “përfshirja e PPP-ve në kuadrin e zakonshëm të investimeve publike dhe në proceset buxhetore është nevojë urgjente…”.
Për këtë rekomandon që të bëhen ndryshime ligjore dhe të parapërgatitet “…një pasqyrë e veçantë e rreziqeve fiskale në vitin 2024 … duke përfshirë rreziqet, që rrjedhin nga PPP-të, … dhe ndërmarrjet me pronësi shtetërore”.
Dhe në këtë pasqyrë, FMN thotë se duhet të identifikohen “… masat për uljen e rreziqeve, duke përfshirë shtimin e mbikëqyrjes dhe mirëmenaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore”.
Nxitja e rritjes ekonomike duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe kjo kërkon një kuadër politikash për zhvillimin dhe mbajtjen e kapitalit njerëzor, bazuar në nxitjen e rritjes ekonomike dhe përmirësimin e standardeve të jetesës.
Ato duhet të përfshijnë ndryshime në sistemin arsimor, tregun punës, arsimin dhe trajnimin profesional, dixhitalizimin dhe sidomos rritjen e buxhetit për kërkim dhe zhvillim.
Përmirësimi rrënjësor i qeverisjes, mbështetur në krijimin e një shteti ligjor, zgjidhja e krizës politike dhe garantimi i qëndrueshmërisë politike janë kushtet kryesore për të tejkaluar të gjitha sfidat e lartpërmendura.
Edhe konkluzioni më i fundit nga konferenca e OSBE-së me “Asian Partners” në vitin 2021 ishte se “qeverisja e mirë dhe shteti ligjor përbëjnë themelet e rritjes ekonomike”./ MONITOR
Leave feedback about this