Gripi “pushton” popullatën. Lajmin e bëjnë me dije ekspertët e fushës përkatëse. Sipas tyre,rastet me grip dhe infeksione të tjera respiratore vijojnë të njohin rritje në gjithë vendin. Sipas ISHP-së, në javë regjistrohen rreth 14 mijë raste.
“Kemi një rritje të lehtë të infeksioneve të gripit dhe Covidit. Pozitiviteti i rasteve me grip ka arritur diku te 10-12%”, thotë nëndrejtori i ISHP, Dritan Ulqinaku.
Mes Covidit dhe gripit, ky i fundit po dominon. Aktualisht sipas ISHP-së kjo situatë nuk është alarmante. Piku i virozave të stinës pritet të arrihet në javën e parë të muajit Shkurt.
“Jemi në nivele normale mund të quaj të stinës së qarkullimit të virozave”.
Megjithatë duhet treguar kujdes, pasi virusi i gripit transmetohet lehtësisht. Ekspertët këshillojnë qytetarët që nëse temperatura e trupit nuk u ulet për tre ditë të drejtohen menjëherë tek mjeku.
“Gripi prek të gjitha grupmoshat pa përjashtim, situata mund të bëhet dramatike, sepse gripin ne e konsiderojmë një sëmundje serioze”.
Mbajtja e maskës rekomandohet për të gjithë, jo vetëm të sëmurët.
“Këshillohet jashtëzakonisht shumë në momentin që jemi në autobus, kinema, ne ambiente spitalore. Nëse një person është i prekur rekomandohet të mbajë maskë për të mos infektuar të tjerët”.
Gripi, sipas ekspertëve, ka një zhvillim më të rrufeshëm sesa Covid-19, shenjat e të cilët kanë ardhur duke u zbutur.
Leave feedback about this