Fluksi i turistëve këtë vit ka sjellë të ardhura rekord në ekonominë shqiptare. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë shpenzimet e të huajve që kanë vizituar Shqipërinë kanë arritur në 1.55 miliardë euro në gjashtë muajt e parë të vitit, një rritje kjo me 37% në krahasim me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Këto shifra, sipas ekspertëve, tregojnë se turizmi duhet shndërruar në prioritet.
“Padyshim që është një arritje e bilancit të pagesave që tregon atë prurje që kanë bërë turistët e cila lidhet dhe është në sinkron me hyrjet e turistëve gjatë 6 mujorit të parë. Shqipërisë i nevojitet një ekonomi e diversifikuar, e cila turizmin do e ketë prioritet”, tha eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj.
Këtë vit në Shqipëri u shënua një rekord turistësh, vetëm në tetë muajt e parë të vitit në vend kanë hyrë 7.2 milionë të huaj, 27% më shumë sesa vjet.
Vizitorët nga Kosova vazhdojnë të mbajnë vendin e parë si ata që e frekuentojnë më së shumti Shqipërinë, ndërsa interes në rritje këtë vit ka pasur nga spanjollët, italianët, turqit, malazezët, francezët etj.
Por paralelisht me prurjet nga turistët e huaj, edhe shqiptarët kanë shtuar shpenzimet e tyre jashtë vendit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit shpenzimet e shqiptarëve për udhëtimet jashtë ishin 977 milion euro, një rritje kjo me 23%.
Në raportin mes shpenzimeve të turistëve të huaj në Shqipëri dhe të shqiptarëve jashtë vendit, vendit i mbeten 794 milionë Euro nga turizmi, çka përbën vlerën më të lartë të arritur ndonjëherë.
Leave feedback about this