Sipas të dhënave të Agjencisë Europiane të Statistikave (EUROSTAT), 4 mijë shtetas shqiptarë me qëndrim jo të rregullt u detyruan të lënë një vend të Bashkimit Europian në gjashtë muajt e parë të këtij viti, pas një urdhri policor.
Ndërkohë sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme shqiptare, 1120 shtetas të tjerë shqiptarë me qëndrim jo të rregullt dhe me ndëshkime penale, u riatdhesuan nga Britania e Madhe në Shqipëri.
Sipas autoriteteve të Bashkimit Europian, vetëm një e katërta e shtetasve shqiptarë janë kthyer vullnetarisht, ndërsa pjesa tjetër janë riatdhesuar në Shqipëri nën shoqërimin e policive të vendeve europiane dhe policisë shqiptare.
Sipas të dhënave zyrtare, 3085 shtetas shqiptarë janë riatdhesuar të shoqëruar nga policia përmes transportit ajror apo kufijve tokësorë, 650 janë kthyer vullnetarisht, ndërsa 265 janë asistuar nga organizatat ndërkombëtare në kthimin vullnetar me mbështetjen për sigurimin e kostos së transportit.
Ndërkohë 1120 shtetasit shqiptarë të kthyer nga Anglia janë shoqëruar që të gjithë nga forcat policore të të dy vendeve, në 25 operacione riatdhesimi të kryera përmes transportit ajror.
Sipas të dhënave të Eurostat-it pjesa më madhe e kthimeve të detyruara të shqiptarëve ka ndodhur nga Greqia, Franca, Gjermania dhe Italia.
Të dhënat tregojnë se vitin e shkuar u riatdhesuan në Shqipëri 8 mijë e 135 shtetas shqiptarë, me qëndrim jo të rregullt në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Për nga numri shqiptarët, gjatë dy viteve të fundit, renditen të dytët pas gjeorgjianëve në operacionet e riatdhesimit të vendeve të Bashkimit Europian për të huajt e parregullt. /VOA
Leave feedback about this