Raporti i OBSH-së, traumat e fëmijërisë nga dentisti dhe tarifat e kripura “i lanë” shqiptarët mbi 60 vjeç pa dhëmbë
Shendetesi

Raporti i OBSH-së, traumat e fëmijërisë nga dentisti dhe tarifat e kripura “i lanë” shqiptarët mbi 60 vjeç pa dhëmbë

Një në tre shqiptarë të moshës mbi 60 vjeç nuk i kanë dhëmbët e tyre në gojë. Sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, situata e shëndetit oral në Shqipëri është përkeqësuar dukshëm. Traumat që nga fëmijëria por edhe tarifat e kripura në klinikat dentare kanë bërë që mosha e tretë të fshehë me ndrojtje buzëqeshjen. Kujdesi i pakët për higjienën e gojës, mungesa e kulturës për mirëmbajtjen e dhëmbëve, duhani, ëmbëlsirat si dhe traumat e fëmijërisë të shkaktuara nga dentistët, janë shkaqe që çojnë në humbje të dhëmbëve sipas mjekut stomatolog Edison Guni. “Mendoj që ndër shkaqet më kryesore është kultura ndaj shëndetit oral që lidhet drejtpërdrejtë edhe me higjienën. Moshat mbi 50 vjeç kanë traumë shumë të madhe kur vijnë tek dentisti, kanë shumë probleme. Kjo lidhet me të kaluarën, me kabinetin dentar ku instrumentet ishin shumë traumatike për pacientët, kanë krijuar truama dhe frikë shumë të madhe për imazhin e dentistit. Mund të veçoj edhe profesionalizmin e mjekëve. Nuk mendoj se janë çmimet e larta në klinikat dentare, unë mendoj se gjithçka lidhet me pjesën e kulturës”-, tha për News 24, mjeku stomatolog Edison Guni. Të pyetur nga News 24, shumë qytetarë thane se nuk afrohen tek dera e klinikave dentare për shkak të çmimeve të kripura. Kush ka lekë kujdeset për dhëmbët të tjerët detyrohet të rrinë pa dhëmbë pasi në shtet nuk u ofrohet shërbim cilësor. Raporti i fundit i OBSH-së vlerëson se Shqipëria problematikën më të madhe e ka me kariesin dentar tek fëmijët e moshës 1 deri në 9 vjeç. Vendi ynë renditet i katërti në Europë, ku 48,6% e fëmijëve vuajnë nga kariesi dentar në dhëmbët e qumështit. Mjeku stomatolog e lidh me edukimin e kulturës së larjes së dhëmbëve dhe mosdhënien e shërbimit real nëpër shkolla. “Mendoj se lidhet drejtpërdrejtë me shkollat, si kabinete dhe si mjekë ato funksionojnë me aq informacion sa kam unë, por aty në realitet nuk bëhen kontrollet rutinë, nuk prezantohet mjeku stomatolog, nuk ka njohuri me mënyrën sesi duhet të lahen dhëmbët, sa herë duhet të bëhet kontrolli tek dentisti, por gjithsesi mendoj se ka njëlloj ndërgjegjësimi”,-u shpreh për News 24, mjeku stomatolog Edison Guni. Sipas Shoqatës së Stomatologëve Shqiptarë, sëmundjet e gojës janë më të përhapurat dhe prekin rreth 90% të popullsisë.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X