Kanë kaluar vetëm tri javë nga shpërndarja e 280 mijë dozave të vaksinës së gripit sezonal dhe deri më tani rreth gjysma e sasisë është marrë nga popullata. Shifrat e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) tregojnë ritmet shumë të shpejta të marrjes së vaksinës antigrip. Grupet më të interesuara kanë qenë të sëmurët kronikë dhe moshat mbi 60 vjeç.
“Gati 47 për qind e dozave të ardhura nga totali prej 280 mijë është përthithur nga popullata e rekomanduar për kryerjen e vaksinës së gripit. Mbi 131 mijë doza janë aplikuar. Grupet e riskut janë kryesisht të sëmurët me sëmundje kardiovaskulare, diabetikët, obezët. Moshat mbi 60–65 vjeç kanë pasur interesin më të lartë për të kryer vaksinën ndaj gripit sezonal,” tregon drejtuesja e ISHP-së, Eugena Tomini. Sipas ISHP-së, në vend ende nuk është dedektuar qarkullimi i virusit të gripit në mostrat e dërguara për analizë. “Ne nuk e kemi ndërprerë në asnjë moment testimin e gripit dhe covidit. Sigurisht që gjatë periudhave të ndryshme ka pasur dominancë të covidit. Deri në këto momente nuk është konfirmuar asnjë rast me grip në vend për sa i përket gripit sezonal,” shprehet Dr. Tomini. Gripi mund të jetë në prag, ndonëse jemi duke përjetuar temperatura ende të ngrohta në këtë fundtetor.
Autoritetet bëjnë thirrje të vijohet me vaksinimin ndaj gripit dhe individët, që e ndjejnë veten të rrezikuar nga ky infeksion respirator, ta marrin atë falas në qendrat shëndetësore të vendit.
Leave feedback about this