Vilat në bregdet arrijnë në 1.6 milionë euro
Ekonomi

Vilat në bregdet arrijnë në 1.6 milionë euro

Vilat elitare me pamje nga deti po shiten 1,6 mln euro, nga 1,2 mln euro vitin e kaluar. Kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik ka nxitur blerjet e të huajve jo vetëm në apertamente, por edhe për prona elitare. Sipas agjencive të pasuirve të paluajtshme Vilat elitare me pamje nga deti po shiten 1,6 mln euro, nga 1,2 mln euro vitin e kaluar. Në Gjirin e Lalëzit çmimi maksimal arrin deri në 2,500 euro/m², për shkak edhe të projekteve të reja në zhvillim. Në jug çmimi ka arritur në 3500 euro/m2, por vilat në përgjithësi kanë një çmim fiks, që i kalon 1 milion euro. Kërkesa kryesohet nga të huajt, shqiptarët që jetojnë jashtë, por ka edhe blerës vendas për shtëpi pushimi, apo për qëllime investimi.

Shtrenjtohet Gjiri i Lalëzit

Rriten çmimet e vilave në Gjirin e Lalëzit. Klajdi Memajdini, nga agjencia imobiliare “Devinf”, tha se çmimet minimale të vilave variojnë nga 1,700 – 1,800 euro/m², ndërsa çmimi maksimal arrin deri në 2,500 euro/m².Krahasuar me vitin e kaluar, z. Memajdini shton se çmimet kanë  shënuar rritje të lehtë, si pasojë e kërkesës. Për shkak të projekteve të reja në zhvillim, përfaqësuesi i agjencisë së pasurive të patunfshme, “Devinf”, parashikon se çmimi do të vazhdojë të jetë në rritje në këtë zonë. “Kërkesat për vila në Gjirin e Lalëzit kryesohet nga të huajt, si: çekët, polakët, ukrainasit, serbët dhe sigurisht shqiptarët që jetojnë jashtë, ata të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Të shumtë janë dhe qytetarët shqiptarë nga Tirana, Durrësi, Elbasani dhe rrethe të tjera që i zgjedhin si shtëpi pushimi dhe gjithashtu për qëllime investimi.

Kjo për faktin se çmimet e qirave janë gjithmonë në rritje. Kjo u pa vitin e kaluar, kur një apartament 1+1 në periudhën e verës u dha minimalisht 80 – 100 euro/dita në muajt korrik-gusht”.

Resorti Adriatika, Gjiri i Lalëzit

Çmimet e vilave dhe apartamenteve në resortet e grupit “Concord Investment”

Në vitin që lamë pas u mbyll faza e parë e ndërtimeve të resortit turistik “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit. Këtë vit parashikohet të përfundojë ndërtimin hotel “Melia” dhe zona premium e vilave.

Drejtoresha e shitjeve dhe marketingut të “Concord Investment”, znj. Ermira Brozi, tha për “Monitor” se kompania është duke zhvilluar projekte të tjera në bregdet, që kanë nisur këtë vit punimet, resortet si: “Adriatika” në Durrës, “Marina Orikum” në Vlorë, “Marina Bay” në Sarandë, si dhe në skajin më jugor të Shqipërisë, Ksamil me “Arameras”.

Ndërsa është në fazë ndërtimi resorti “San Nicolas” në Palasë, që nisi punimet në vitin 2021.

Sipas drejtoreshës së shitjeve, konkretisht çmimet e apartamenteve në pallate të ulëta dykatërshe në resortin San Pietro në Gjirin e Lalëzit variojnë nga 2,200 deri në 2,300 euro/m².

Ndërsa çmimet e vilave në zonën premium, që pritet të përfundojë në muajin dhjetor 2023, variojnë nga 435,000 euro që është vila bashkëngjitur me 4 hyrje deri te vila me sipërfaqe 242 metra katror, me çmim shitje 830,000 euro.

Në këtë resort ka përfunduar shitja e vilave elitare me çmime 1,2 deri në 1,3 mln euro.

Ndërsa në resortin “San Nicolas” në Palasë, çmimet e vilave nisin nga 560,000 euro i vilës së vogël deri tek ato elitare, me çmim 1,6 mln euro. Kompania ofron të njëjtat çmime shitje, edhe për vilat në resortet e reja turistike.

Në resortin e ri “Adriatika” në Durrës, çmimet e apartamenteve janë 1,900 euro/m², në “Marina Orikum” në Vlorë, nga 2,500-3,000 euro/m² dhe në “Marina Bay” në Sarandë, nga 3,000-3,500 euro/m².

Drejtoresha e shitjeve dhe marketingut të “Concord investment”, znj. Ermira Brozi, nënvizon se edhe këtë vit, është rritur kërkesa, që dominohet më shumë nga të huajt. Ajo shton se çmimet, krahasuar me vitet e mëparshme, janë rritur, për shkak të shtrenjtimit të kostove të materialeve të ndërtimit, standardit të cilësisë dhe rritja e kërkesës për Shqipërinë ka shtuar ofertën për prona në treg.“Aktualisht po përballemi me transaksione të shumta të blerjes nga të huajt, ku kërkesa kryesohet nga çekët dhe polakët për projektet në Jug dhe Durrës.

Nga shtetasit gjermanë, holandezë, suedezë, finlandezë, norvegjezë preferohet Vlora, Gjiri i Lalëzit, Ksamili dhe Saranda, ndërsa italianët parapëlqejnë kryesisht resortin ‘Marina Orikum’ për blerje pronash.Në resortin ‘San Pietro’, përveç të huajve, kërkesa është e lartë edhe nga vendasit që punojnë në Tiranë, për shkak të afërsisë me kryeqytetin.

Sapo kemi filluar të marrim edhe kërkesat e para për projektin tonë të ardhshëm ‘Marina Bay Saranda’, kryesisht nga blerës të huaj. Një projekt i cili për nga rëndësia është i pozicionuar padyshim në vendndodhjen më të mirë të detit Jon, në kodrën e Limionit në Sarandë”.

Znj. Brozi thekson se blerësit e huaj tregojnë më shumë interes për blerje prone me qëllim investimi, për shkak të leverdishmërisë së çmimeve krahasuar me fqinjët.

“Gjykoj se kultura për të blerë një ‘shtëpi të dytë’ në bregdetin shqiptar ka ndryshuar. Sot, klientët të cilët tregojnë më shumë interes për projektet tona, orientohen kryesisht te procesi i ‘blerjes për investim’, dhe më pak nga kategoria e klientëve për të blerë një shtëpi, e cila shërben për pushime.Çmimet e favorshme në krahasim me ato të vendeve fqinje me Shqipërinë, politikat shumë të mira të taksave, kuadri ligjor, etj., mendoj se kanë sjellë edhe rritje të vazhdueshme të kërkesës nga klientët e huaj.Blerja e një prone për investim në bregdet, për ta investuar më pas atë me qira, duke ia besuar menaxhimin e pronës shoqërisë që e administron projektin, ka treguar që është një investim i sigurt dhe me një kthim investimi të shpejtë dhe me norma të larta investimi, si 6-10% në vit, në varësi të projektit dhe standardit.

Tashmë ka një tendencë pozitive të klientëve tanë që realizojnë blerje të aseteve tona për investim, e cila ishte e pranishme fillimisht në ‘San Pietro Resort’ në Gjirin e Lalëzit, për të vazhduar më pas edhe në Palasë, në investimin tonë të radhës ‘San Nicolas’, në ‘Marina Bay Saranda’ por edhe në ‘Arameras’, Ksamil”, pohon ajo.

Resorti San Pietro

Pse është rritur kërkesa nga të huajt për pronat në bregdet?

Në bregdet po blejnë më tepër prona të huajt, sesa vendasit. Investimet në bregdet përveç si shtëpi pushimi, gjithnjë e më tepër po preferohen edhe për dhënie me qira.

Balfin Real Estate & Hospitality me 3 projektet e reja në bregdet, si: Vlora Marina (Vlorë), Green Coast Village (Palasë) dhe Next to Vala Mar Premium, me vendndodhje në Durrës, Hamallaj pohoi për Monitor se krahasuar me vjet kërkesa për 2023 për prona është rritur. Shtimi më i lartë i kërkesës është nga të huajt.

“Kjo shkon në përputhje me strategjinë e kompanisë që ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe në Zvicër, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjithashtu edhe në fokus të projekteve tona më të reja është që të mos ofrojmë thjesht ambiente qëndrimi apo pushimi, por të mundësojmë një eksperience unike, stil jetesë të nivelit botëror për të gjithë rezidentët”, nënvizon Eltion Koçi, Drejtor i Shitjeve në kompaninë Balfin Real Estate & Hospitality.

Sipas z.Koçi edhe këtë vit është rritur kërkesa për blerje vilash me qëllim dhënien e tyre me qira, falë programeve të menaxhimit për qiradhënien që ofrohet nga kompania.

“Rishitja është një nga format më të përhapura të investimit dhe që sjell fitim të shpejtë në periudhë afatshkurtër. Por se fundmi kemi vënë re që shumë blerës duke ditur që vlera e pronës se tyre do të vijojë të rritet, preferojnë të mos e shesin atë, por të fitojnë duke e dhënë me qira përmes programit tonë të qiradhënies.

Në këtë mënyrë blerësi nuk humbet mundësinë e shijimit të pronës në komplekse shumë të kërkuara, i krijon vetes mundësinë që të fitojë më shumë në të ardhmen nga shitja me çmim edhe më të lartë se sot dhe gjatë kësaj kohe merr të ardhura të qëndrueshme nga dhënia e pronës me qira dhe menaxhimi nga ana jonë”.

Nisur nga përllogaritjet e kompanisë kthimi i investimit nëpërmjet qiradhënies është rreth 13 vjet. “Afati i kthimit të investimit varion nga një pronë në tjetrën, në varësi të shumë faktorëve si lokacioni, kushtet e pronës dhe kërkesa e tregut”, nënvizoi Drejtor i Shitjeve në kompaninë Balfin Real Estate & Hospitality

Për sa i përket ecurisë së çmimeve nga kompania, tha se kërkesat e shumta për të banuar në këto projekte reflektohen edhe në çmim.

“Në përgjithësi, zonat bregdetare kanë tendencën të jenë të preferuara nga blerësit dhe investitorët.

Faktorë të tjerë që ndikojnë ne rastin e projekteve tona janë vendndodhja, tërësia e shërbimeve që ne ofrojmë për klientët që blejnë në këto prona, që nga qiradhënia e tyre, te mirëmbajtja, si dhe strategjia e përbërjes dhe administrimit te njësive komerciale.

Të gjithë këta elemente janë të njohur nga klientët e huaj, dhe kjo është ndër arsyet kryesore përse në projektet tona të reja kemi një interes të lartë. Duke qenë klientelë ndërkombëtare, konkurrenca nuk është me thjesht lokale, por rajonale dhe në këtë aspekt rezulton se çmimet tona krahasuar me ato të rajonit vijojnë të mbeten jashtëzakonisht konkurruese”. Monitor

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X